Akuza për njëanshmëri në mënyrën se si BBC pasqyron lajmet dhe skandali me dokumentarin që ndryshoi kuptimin e një fjalimi të Tramp çuan në largimin e dy figurave kryesore të korporatës.
Drejtori i përgjithshëm i BBC, Tim Davie dhe shefja e lajmeve Deborah Turness dhanë dorëheqjen këtë të diel, në mes të akuzave për mungesë paanësie në raportimin e lajmeve dhe veçanërisht në mënyrën se si ishte montuar një fjalim i presidentit amerikan Donald Tramp në një dokumentar të programit Panorama. Dorëheqjet vijnë pasi një raport i brendshëm kritik ndaj mbulimit të BBC për konfliktin Izrael Hamas, çështjet gjinore dhe transmetimin e fjalimit të Tramp u publikua në media, duke ndezur debatin për besueshmërinë editoriale të korporatës.
Dokumentari në fjalë kishte bashkuar dy pjesë të ndara të fjalimit të Tramp, duke krijuar përshtypjen se ai po nxiste turmën drejt revoltës në Capitol Hill, gjë që çoi në akuza nga Shtëpia e Bardhë se BBC po manipulonte opinionin publik.
Tim Davie, i cili e drejtonte BBC që prej vitit 2020, deklaroi se roli i tij ka qenë tepër i ngarkuar në një situatë të polarizuar politike dhe sociale dhe se ai merr përgjegjësinë e fundit për gabimet editoriale. Edhe drejtuesja e lajmeve, Deborah Turness, dha dorëheqjen, megjithëse në një komunikim të brendshëm me stafin e mohoi akuzat se BBC është institucionale i njëanshëm.
BBC, e financuar nga tarifat e detyrueshme të qytetarëve, prej vitesh është në qendër të kritikave për pozicionim politik dhe kulturor, duke u akuzuar njëkohësisht nga të djathtët dhe të majtët për prirje të kundërta. Skandalet e fundit kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e saj për të ruajtur standardet e paanësisë, në një kohë kur në vitin 2027 korporata duhet të negociojë me qeverinë kontratën e re të financimit.
Ndërkohë, BBC pritet të dalë para parlamentarëve javën e ardhshme për të sqaruar situatën dhe për të paraqitur hapat që do të ndërmerren për rikthimin e besimit publik.

