
Takimi i tyre në ceremoninë e 2025 Rock & Roll Hall of Fame riktheu nostalgjinë e filmit klasik të festave.
Jim Carrey dhe Taylor Momsen u rikthyen përballë njëri-tjetrit pas 25 vitesh, duke ngjallur emocion dhe kujtime tek miliona fansa të filmit të famshëm të vitit 2000, How The Grinch Stole Christmas. Dy aktorët u takuan gjatë ceremonisë së futjes në Rock & Roll Hall of Fame, ku Momsen ishte e ftuar si artiste rock, ndërsa Carrey mori pjesë në event.
Momsen, e cila në film interpretoi vajzën e vogël Cindy-Lou Who, atëherë vetëm 5 vjeç, kujtoi me emocion marrëdhënien e saj me Carrey gjatë xhirimeve. “Ai ishte shumë mbrojtës dhe tepër i sjellshëm me mua,” u shpreh ajo për People. “Pavarësisht gjithë makeupit dhe kostumit të vështirë, ai ishte gjithmonë i ngrohtë dhe i pranishëm.”
Jim Carrey, atëherë 38 vjeç, i dha jetë një prej roleve më legjendare të tij si Grinchi, përmes një transformimi të gjatë me prostetikë, të cilin Momsen thotë se kurrë s’e kishte kuptuar plotësisht në atë kohë. “Unë nuk e dija si dukej Jim Carrey në të vërtetë deri në premierë,” tregoi ajo me të qeshur. “Në xhirime e shihja vetëm si Grinch.”
Ajo shtoi se vëzhgimi i Carrey gjatë xhirimeve e ka ndikuar në mënyrën si ajo e sheh artin sot: “Ta shihje një artist duke e marrë zanatin kaq serioz, më ka lënë një ndikim shumë të madh dhe të qëndrueshëm.”
Taylor Momsen sot është këngëtare dhe frontwoman e grupit rock The Pretty Reckless, ndërsa The Grinch mbetet ende një nga filmat më të ndjekur gjatë sezonit të festave.
“Njerëzit e duan The Grinch sepse në zemër është një histori për dashurinë dhe mirësinë,” tha ajo. “Është një film që i bën njerëzit të buzëqeshin – dhe kjo nuk ndryshon kurrë.”
Fansat në rrjete sociale e përshkruan takimin e tyre si “magjik” dhe “një udhëtim i pastër nostalgjie”.
