
Dokumentari “Panorama” shkaktoi kritika të forta pasi dy pjesë të ndryshme të një fjalimi të Tramp u bashkuan duke krijuar përshtypjen e nxitjes së dhunës në Kapitol
Drejtori i Përgjithshëm i BBC, Tim Davie dhe drejtoresha e lajmeve Deborah Turness, kanë njoftuar dorëheqjen e tyre pas polemikave të forta që shpërthyen rreth transmetimit të një dokumentari, ku montazhi i një fjalimi të ish-presidentit amerikan Donald Tramp është kritikuar se ka shtrembëruar kuptimin e tij.
Dokumentari, i transmetuar pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara, bashkoi dy fraza të ndryshme nga një fjalim i Tramp të mbajtur më 6 janar 2021, duke krijuar përshtypjen se ai po u bënte thirrje mbështetësve të tij të marshonin drejt Kapitolit për të ushtruar presion dhe për të vepruar me dhunë. Pas publikimit të këtij zbulimi, të raportuar fillimisht nga gazeta britanike The Daily Telegraph, drejtuesit e BBC u përballën me akuza për manipulim, përhapje informacioni të gabuar dhe ndikim të mundshëm në proceset demokratike.
Donald Tramp reagoi menjëherë duke i quajtur gazetarët e BBC të pandershëm dhe duke i akuzuar se përpiqen të ndikojnë në rezultate zgjedhore në një vend aleat të Shteteve të Bashkuara. Ministrja britanike e kulturës, Lisa Nandy, e konsideroi çështjen shumë serioze dhe kërkoi sqarime të menjëhershme nga drejtuesit e korporatës publike. Tim Davie e pranoi se situata e krijuar dhe debati mbi paanshmërinë editoriale të BBC kanë ndikuar ndjeshëm në vendimin e tij për t’u larguar. Deborah Turness deklaroi se polemikat rreth dokumentarit kanë dëmtuar imazhin e BBC dhe se ajo mban përgjegjësi për këtë. Ndërkohë, drejtuesit e institucionit pritet të raportojnë para një komisioni parlamentar, ku priten edhe kërkimfalje zyrtare.
BBC, një nga organizatat më të mëdha mediatike publike në botë, është prej kohësh nën presion për të provuar paanshmërinë e saj në një klimë politike gjithnjë e më të polarizuar në Britani dhe jashtë saj.
