
Guvernatori foli për presionet gjeopolitike, revolucionin financiar dhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar
Në konferencën shkencore të organizuar me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, guvernatori Gent Sejko u ndal te sfidat me të cilat po përballet ekonomia shqiptare dhe sistemi financiar. Ai i renditi ato në tre drejtime kryesore, duke theksuar se ndryshimet globale po krijojnë një realitet të ri ekonomik.
Sipas Sejkos, tensionet gjeopolitike dhe kufizimet e reja tregtare ndikojnë drejtpërdrejt ekonomitë e vogla si ajo shqiptare. Megjithatë, ai vuri në dukje se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian mbetet mundësia më e madhe për të zbutur dhe përballuar këto rreziqe, pasi sjell me vete hapësira të reja zhvillimi dhe bashkëpunimi.
Një tjetër sfidë e rëndësishme, tha ai, lidhet me transformimin e shpejtë teknologjik në sektorin financiar. Dixhitalizimi i pagesave dhe përhapja e inovacioneve të reja rrit efikasitetin, por njëkohësisht kërkon kujdes më të madh në drejtim të sigurisë dhe mbikëqyrjes.
Sejko nënvizoi edhe sfidën demografike dhe ekonomike që lidhet me një treg pune të tkurrur dhe me largimin e vazhdueshëm të fuqisë punëtore të kualifikuar. Ai theksoi se Shqipëria duhet të fokusohet tek rritja e produktivitetit dhe shfrytëzimi i avantazheve konkurruese për të ruajtur stabilitetin ekonomik në afatgjatë.
Në përfundim, guvernatori përsëriti se të gjitha sfidat janë të menaxhueshme, me kusht që vendi të mbështesë me vendosmëri procesin e integrimit europian dhe reformat që ai kërkon.
