
Makina humbi kontrollin në autostradë, një prej të ndaluarve përfundon në spital
Dy shtetas shqiptarë, të moshave 28 dhe 33 vjeç, janë arrestuar në Zvicër pas një ndjekjeje të rrezikshme me makinë që u zhvillua mbrëmjen e së hënës. Makina e tyre po lëvizte në drejtim të Bernës, kur policia vuri re se drejtuesi po udhëtonte në mënyrë të çrregullt dhe i kërkoi të ndalonte.
Në vend që të bindeshin ndaj urdhrit, shoferi shtoi shpejtësinë duke tentuar t’i shpëtonte patrullës. Ndjekja përfundoi në një dalje të autostradës, ku mjeti u përplas me mbrojtëset anësore. Të dy personat u ndaluan menjëherë nga policia, ndërsa njëri prej tyre u dërgua me urgjencë në spital për shkak të plagëve të marra.
Sipas dyshimeve të para, arsyeja e arratisjes mund të lidhet me faktin se të rinjtë mund të kenë qenë nën efektin e alkoolit ose substancave narkotike në momentin e kontrollit. Policia dhe prokuroria kanë hapur hetim për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
