
IKMT shemb objektet pa njoftuar kompaninë, ndërsa dokumentet tregojnë se vilat kishin leje të rregullt dhe sipërfaqe më të vogël se ajo e miratuar
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka kryer më 7 nëntor prishjen e tri vilave në zonën e Saukut, duke i konsideruar ato ndërtime pa leje. Megjithatë, dokumentet tregojnë se objektet ishin pjesë e një kompleksi rezidencial me leje të miratuar dhe me volum ndërtimi më të ulët se ai i parashikuar në projekt.
IKMT ka marrë vendimin për prishjen dhe e ka ekzekutuar atë brenda të njëjtës ditë, pa kryer njoftimin ligjor ndaj kompanisë ndërtuese. Njoftimi zyrtar për vendimin është dërguar në adresën e subjektit vetëm disa ditë më vonë, pasi vilat ishin shpërthyer me lëndë eksplozive dhe shembur me fadroma.
Dokumentet e publikuara tregojnë se kompleksi është ndërtuar sipas lejes R-1539/4, për objekte banimi një deri në tre kate me nëntokë, pishina dhe infrastrukturë ndihmëse. Nga matjet rezulton se sipërfaqja reale e ndërtimit është rreth 1860 m² më pak se ajo e miratuar, duke përjashtuar pretendimin për shtesa ndërtimore apo shkelje të lejes.
Shembja e ndërtimeve pa proces njoftimi dhe pa afat ankimimi për subjektin, konsiderohet si veprim arbitrar dhe me pasoja të drejtpërdrejta financiare, të cilat, në rast gjykimi në Strasburg, mund të përfundojnë si dëmshpërblim i paguar nga buxheti i shtetit. Precedentë të tillë janë parë edhe më herët, me kosto të larta për fondet publike.
Rasti i Saukut rikthen në qendër të debatit mënyrën si IKMT zbaton masat e prishjes, transparencën e procesit administrativ dhe sigurinë juridike të investitorëve që operojnë në sektorin e ndërtimit.
