
Mbi 5 mijë raste dhe dy foshnja të vdekura, ndërsa rënia e vaksinimit pas pandemisë së Covid-19 konsiderohet shkaku kryesor
Kanadaja nuk klasifikohet më si vend që e ka eliminuar fruthin. Autoritetet shëndetësore kanadeze konfirmuan se vendi ka humbur statusin që mbante prej vitit 1998, pasi brenda një viti janë regjistruar mbi 5 100 raste me fruth dhe dy foshnja kanë humbur jetën si pasojë e komplikimeve të rënda.
Epidemia filloi në New Brunswick në tetor 2024 dhe më pas u përhap në disa provinca të tjera, përfshirë Albertën, Ontarion, Manitoban dhe Kolumbinë Britanike. Qendra të shumta komunitare dhe shkolla kanë raportuar shpërthime lokale të infeksioneve, ndërsa në disa zona niveli i vaksinimit ka rënë deri nën 30 për qind.
Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se fruthi është një nga viruset më ngjitëse të njohura, ku një person i infektuar mund të transmetojë sëmundjen te deri 18 persona të pavaksinuar. Meqenëse nuk ekziston trajtim specifik, mënyra e vetme për të kufizuar përhapjen mbetet vaksinimi sistematik i fëmijëve dhe i komuniteteve të pambrojtura.
Në Kanada, niveli i vaksinimit ka rënë nën pragun kritik prej 95 për qind të popullsisë, duke e bërë të pamundur frenimin e transmetimit. Studimet tregojnë se pas pandemisë së Covid-19 ka pasur një rritje të ndjeshme të mosbesimit ndaj vaksinave, e ushqyer nga fushatat e dezinformimit dhe politizimi i debateve shëndetësore.
Institucionet shëndetësore kanadeze paralajmërojnë se rikthimi i fruthit nuk është vetëm çështje statistike, por rrezik serioz për fëmijët e vegjël dhe personat me imunitet të dobët. Ekspertët theksojnë se nëse niveli i vaksinimit nuk rikthehet, sëmundje të tjera që dikur konsideroheshin të zhdukura mund të rikthehen gjithashtu.
