
Banorët kërkojnë lirimin e 27-vjeçarit, duke thënë se ai u provokua para arrestimit
Në Pogradec, banorë të fshatit Çërravë kanë dalë sot në protestë pas arrestimit të 27-vjeçarit Kevi Muçllari, i cili u ndalua një ditë më parë pas një konflikti gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak.
Gjatë mbledhjes, këshilli vendosi të japë me qira 35 hektarë tokë, ndërsa 35 hektarë të tjera do të vijojnë të përdoren si kullotë nga banorët e zonës. Vendimi u kundërshtua nga përfaqësues të Çërravës, të cilët ishin të pranishëm në seancë.
Sipas banorëve, tensionet nisën pas një debati mes Muçllarit dhe këshilltarit të PD, Engjëll Shyti, dhe ata pretendojnë se Muçllari është provokuar dhe goditur i pari.
Protestuesit kërkuan lirimin e të riut dhe rishqyrtimin e vendimit, duke theksuar se toka është e vetmja mundësi jetese për shumë familje të zonës.
Situata pritet të vijojë me takime të tjera mes banorëve dhe autoriteteve vendore.
