
Një kallëzim në Prokurorinë e Milanos përmend pjesëmarrjen e disa italianëve, mes tyre edhe një person nga Trieste, në sulme ndaj civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës
Një kallëzim i depozituar në Prokurorinë e Milanos ka hapur një hetim për vrasje të shumëfishta, lidhur me të ashtuquajturit “snajperët e fundjavës”, persona që dyshohet se udhëtonin nga Italia në Sarajevë gjatë rrethimit të qytetit për të qëlluar mbi civilë kundrejt pagesës.
Sipas dokumenteve të paraqitura nga shkrimtari Ezio Gavazzeni, bazuar në burime të shërbimeve të sigurisë boshnjake, një grup individësh nga Italia udhëtonte drejt Bosnjës në vitet 1993-1994 për t’iu bashkuar forcave të ushtrisë serbo-boshnjake, ku më pas pozicionoheshin si snajperë në lagjet e Sarajevës. Në kallëzim përmendet se ndër të paktën tre shtetas italianë të përfshirë, njëri është nga Trieste dhe pikërisht në këtë qytet dyshohet se organizoheshin nisjet e grupit.
Burimi, një agjent i shërbimit të sigurisë së Bosnjës, ka dëshmuar se këta persona udhëtonin nga Trieste në Beograd e më pas drejt Bosnjës, ku përfshiheshin në aksione të armatosura kundër civilëve, kundrejt shpërblimeve financiare të konsiderueshme.
Prokuroria e Milanos ka hapur dosjen për vrasje të shumëfishta të kryera me egërsi dhe motive çnjerëzore. Rasti është rikthyer në vëmendje pas dokumentarit “Sarajevo Safari”, i cili trajton fenomenin e snajperëve të huaj që vinin për të marrë pjesë në luftë si aktivitet i paguar.
Hetimet pritet të përqendrohen tek identifikimi i personave të përmendur dhe verifikimi i lidhjeve të tyre me grupet ushtarake të rrethimit të Sarajevës.
