
I njohur si Oti i Elbasanit, mohoi të ketë qenë objektiv i një urdhri për eliminim, duke thënë se mes tij dhe Suelit kishte vetëm njohje të hershme
Elton Kila, i njohur si Oti i Elbasanit, ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme, në seancën për dosjen e njohur si Plumbi i Artë. Ai u pyet lidhur me pretendimet se ka qenë objektiv për t’u eliminuar nga Suel Çela, siç është deklaruar në dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt.
Kila deklaroi se nuk ka pasur kurrë konflikte me Suelin dhe se njiheshin prej fëmijërisë, pasi familjet e tyre jetonin e punonin në të njëjtat zona. Sipas tij, kur lajmet dolën në media, ai u takua me babain dhe vëllain e Suelit, të cilët e siguruan se nuk duhej të besonte asgjë nga ato që qarkullonin.
Ai shtoi se për ngjarjen e rëndë të dhjetorit 2018 në Bradashesh, ku u vranë tre persona, nuk ka patur asnjë lidhje, pasi në atë periudhë ai ndodhej në burg. Kila theksoi se pasi u lirua, mori vesh ngjarjen nga të tjerët dhe se asnjëri nga viktimat nuk ishte i njohur prej tij.
Gjatë dëshmisë, ai theksoi se nuk ka pasur kontakte apo komunikime me personat e përmendur në dosje gjatë kohës që ishte në burg, duke shtuar se qëllimisht qëndronte i distancuar për të mos u përfshirë në situata që nuk i përkisnin.
Kila pranoi se me disa prej të pandehurve kishte njohje të hershme, si pjesë e rrethit të qytetit, por mohoi çdo përfshirje në ngjarje kriminale ose konflikte të armatosura.
Ai nënvizoi se për gjithë kohën ka kërkuar të sqarojë emrin e tij publikisht, pasi lajmet e shpërndara sipas tij e vendosën padrejtësisht në qendër të një ngjarjeje me të cilën nuk ka asnjë lidhje.
