
Autorët kanë ndjekur automjetin për disa kilometra dhe janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës pas ekzekutimit
Detaje të reja kanë dalë në lidhje me atentatin e ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit këtë të martë. Nga të dhënat paraprake, viktima e ekzekutuar dyshohet të jetë Gilmando Dani, i njohur më parë për përfshirje në disa çështje të kronikës së zezë. Identiteti i tij pritet të konfirmohet zyrtarisht nga policia.
Sipas informacioneve fillestare, dy automjete kanë qëlluar në lëvizje drejt një mjeti tip “Mercedes Benz”. Autorët më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës. Dyshohet se objektivi është ndjekur për rreth tre kilometra përpara se ndaj tij të hapeshin të shtënat fatale.
Atentati ka ndodhur vetëm pak qindra metra larg aeroportit “Nënë Tereza”, por autoritetet bëjnë me dije se ngjarja nuk lidhet me Policinë Kufitare apo sigurinë e aeroportit. Personi që ndodhej me Danin në automjet ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Zona është rrethuar nga forca të shumta policie, ndërsa po kontrollohen kamerat e sigurisë përgjatë aksit Rinas–Fushë-Krujë për të identifikuar lëvizjen e autorëve dhe mjetet e përdorura. Hetimet janë në zhvillim dhe pritet një deklaratë zyrtare për konfirmimin e identitetit të plotë, motivit dhe pistave kryesore të ngjarjes.
