
Policia po verifikon mjetin e gjetur të shkrumbuar, ndërsa vijon kërkimi për personat e përfshirë
Pas atentatit të rëndë të ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos një person tjetër me emrin Muci Shalianji, policia ka gjetur një automjet të djegur në fshatin Halil të Krujës. Dyshohet se ky mjet është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
Sipas informacioneve paraprake, atentatorët hapën zjarr nga një automjet tip Toyota me targa greke ndaj një makine tip Mercedes S Class i cili raportohet se është në pronësi te Vis Kosovës. Pas të shtënave, ata u larguan me shpejtësi në drejtim të Fushë Krujës, ku më pas mjeti është gjetur i shkrumbuar.
Ngjarja ka ndodhur vetëm 100 metra larg hyrjes së aeroportit të Rinasit, në një zonë të frekuentuar dhe me lëvizje të dendur. Hetimet sugjerojnë se viktima mund të jetë ndjekur për rreth 3 kilometra përpara se të qëllohej.
Në terren janë angazhuar forca të shumta të policisë, RENEA dhe njësitë e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat po kontrollojnë zonën për të identifikuar autorët dhe rrugët e mundshme të tërheqjes së tyre.
Hetimet vijojnë dhe pritet një deklaratë zyrtare nga Policia e Shtetit në orët në vijim.
