
Federata Spanjolle e Futbollit ka vendosur ta lirojë sulmuesin e Barcelonës pas një ndërhyrjeje mjekësore të kryer pa njoftuar stafin e ekipit kombëtar.
Federata Spanjolle e Futbollit është përfshirë në një tjetër përplasje me Barcelonën, kësaj here lidhur me talentin 17-vjeçar Lamine Yamal. Sulmuesi nuk do të grumbullohet për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Gjeorgjisë dhe Turqisë, pasi është vlerësuar se nuk mund të jetë gati nga ana fizike. Vendimi vjen pas një procedure mjekësore që lojtari i është nënshtruar për të trajtuar dhimbjet e vazhdueshme në zonën pubike. RFEF ka sqaruar se trajtimi është kryer pa njoftimin e stafit mjekësor të kombëtares, të cilët janë informuar vetëm pasi ndërhyrja ishte përfunduar dhe ishte rekomanduar pushim prej një jave deri në dhjetë ditë.
Duke u bazuar te ky vlerësim, Federata ka vendosur të mos rrezikojë lojtarin dhe ta lejojë atë të qëndrojë jashtë grumbullimit, me qëllim rikuperimin e plotë. Situata ka rindezur tensionet mes Barcelonës dhe RFEF, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë pasoja të mëtejshme midis dy palëve.
