Makina e djegur e autorëve të atentatit ndaj Gilmando Danit dhe shoqëruesit të tij Muçi Shaljani (Sheqeri) është gjetur në një përrua, pranë aksit Fushë Krujë-Krujë, mes fshatrave Halil dhe Zall. Në vendin ku u gjet makina nuk ka rrugë të përshtatshme dhe se aty mund të shkohet në këmbë përmes një shtegu.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për të njëjtin vend që autorët kishin përdorur në të kaluarën për të qëlluar në drejtim të hotelit të Edmond Vogës.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, por nuk i është afruar makinës që vijon të digjet. Kjo pasi hetuesit dyshojnë se brenda saj ndodhen armë dhe municione të cilat mund të
shpërthejnë nga flakët.
Shqetësues është fakti se si arritën autorët të lëvizin të pashqetësuar nga Rinasi në drejtim të Fushë Krujës, duke kaluar edhe disa postblloqe policie, për të djegur më pas mjetin në një zonë të thellë dhe të fshehur, vetëm 3 minuta larg qendrës së qytetit dhe rajonit të Policisë së Fushë Krujës.
