Myrto Uzuni mund të rikthehet së shpejti në Evropë.
Sulmuesi shqiptar i Austin FC po vlerëson mundësinë për të lënë MLS-në në fund të vitit 2025, me synimin për t’u rikthyer në futbollin evropian, siç ka raportuar TuttoCagliari.net.
Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se dëshira e tij është e qartë: të provojë sërish veten në një kampionat më konkurrues, pas përvojës përtej Oqeanit.
Kjo dëshirë nuk ka kaluar pa u vënë re, veçanërisht në Itali, ku Cagliari ka shfaqur interes konkret.
Klubi nga Sardenja, që kërkon përforcime në repartin ofensiv për pjesën e dytë të sezonit, po shqyrton mundësinë e huazimit fillestar në janar, një formulë që do t’i lejonte të testonin ndikimin e 30-vjeçarit në Serinë A përpara se të vendosin për një blerje të mundshme.
Për momentin, nuk ka negociata të avancuara, por kontaktet mes palëve mund të intensifikohen gjatë javëve në vijim.
Emri i Myrto Uzunit mbetet një nga më interesantët në horizontin e merkatos së dimrit për klubin kuqeblu.
