
Pamjet e para të momentit të sulmit janë siguruar, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli dhe po analizon kamerat e sigurisë.
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i kryer këtë pasdite pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, i njohur si Sheqeri, punonjës i AMP. Pas sulmit, policia ka lokalizuar një automjet të djegur në një zonë të thepisur mes fshatrave Halil dhe Zallë, përgjatë aksit Fushë-Krujë – Krujë, që dyshohet se është përdorur nga autorët për largim.
Brenda mjetit të shkrumbuar janë gjetur tre kallashnikovë dhe një pistoletë, të cilat mendohet se janë përdorur gjatë ekzekutimit. Armët janë sekuestruar dhe janë dërguar për ekspertizë balistike, ndërsa automjeti është marrë për analizë të gjurmëve të mundshme.
Zona ku u gjet makina është e izoluar dhe e vështirë për t’u arritur me automjete, çka sugjeron se autorët kanë planifikuar paraprakisht rrugën e largimit dhe zhdukjen e provave.
Ndërkohë, policia ka ngritur pika kontrolli në disa akse hyrëse dhe dalëse të Tiranës dhe Fushë-Krujës. Grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të mundshëm të atentatorëve në përpjekje për të identifikuar personat e përfshirë.
Hetimet janë në fazë intensive.
