
42-vjeçari, sot pjesë e AMP, është i njohur për një incident të vitit 2011 ku nuk u tërhoq përballë një deputeti të kohës.
Muçi Shaljani, i njohur si Sheqeri, i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin e kryer sot pranë aeroportit të Rinasit, nuk është një emër i panjohur për publikun. Shaljani, aktualisht punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka qenë i përfshirë në një ngjarje të bujshme në vitin 2011, përballë atëherë-deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri.
Ngjarja ndodhi gjatë një proteste të Forumit Rinor të opozitës, rreth 20 metra larg Ministrisë së Brendshme, ku Shaljani dhe vëllai i tij u konfliktuan fizikisht me Tahirin. Sipas dëshmisë së asaj kohe, Shaljani ishte njoftuar nga vëllai për të ndërhyrë, duke pretenduar se po dëmtohej pronë e tyre. Kur Tahiri u prezantua si deputet, Shaljani është përgjigjur me fjalinë që u përhap gjerësisht në media: “E kujt i intereson se je deputet.”
Sot, 14 vite më vonë, ai u gjend në qendër të një ngjarjeje shumë më të rëndë: atentatin ku humbi jetën Gilmando Dani, i njohur si i afërt i Emiljano Shullazit. Shaljani, që ndodhej në timonin e mjetit të blinduar, mori një plumb në kokë dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të sulmit.
