
I dyshuari konsiderohej figurë drejtuese në një rrjet të shpërndarjes së kokainës përgjatë bregdetit jugor të Anglisë.
Një shqiptar 32-vjeçar nga Tirana është arrestuar në Aeroportin “Valerio Catullo” të Veronës, pasi rezultoi i kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet britanike për trafik të lëndëve narkotike. Arrestimi u bë gjatë një kontrolli rutinë të pasagjerëve, ku Policia Kufitare verifikoi identitetin e tij përmes sistemit TIMS dhe konfirmoi se ndaj tij ishte lëshuar një European Arrest Warrant nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas hetimeve të policisë britanike, i riu dyshohet se kishte rol drejtues në një grup të strukturuar kriminal, i cili merrej me shpërndarjen e kokainës në zonën jugore të Anglisë. Ai nuk ishte thjesht pjesë e logjistikës së rrjetit, por dyshohet se koordinonte njerëzit, paketimin dhe vendosjen e shenjave identifikuese në blloqet e drogës.
Gjatë hetimeve në Britani, autoritetet kishin sekuestruar mbi 28 kilogramë kokainë dhe rreth 175 mijë paund para cash, ndërsa provat e mbledhura përfshijnë edhe porositë online që 32-vjeçari kishte bërë në Itali, mes tyre materiale për paketim, aceton në sasi të mëdha dhe vula druri me simbole identike me ato të gjetura në ngarkesat e sekuestruara.
Pas arrestimit, ai është dërguar në burgun e Veronës, ku do të qëndrojë në pritje të procedurës së ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar. Nëse ekstradohet dhe shpallet fajtor, ai përballet me një dënim të rëndë, deri edhe me burgim të përjetshëm.
