Përse familja Mata akuzon shtetasin Begzim Isa, për rrëmbimin e vajzës së tyre?
Begzim Isa i cili në vitin 2013, u arrestua nga policia e Kukësit, në akuzën për rrëmbimin, mbajtjen në banesë për qëllime trafikimi të një mituri 7 vjeçar drejt Kosovës për një shumë prej 40 mijë eurosh. Prokuroria e Kukësit atë kohë ia kaloi çështjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila nga ana e saj kërkoi 10 vite burgim në atë kohë për 21 vjeçarin, që nuk i pranoi asnjëherë akuzat edhe pse kjo ishte akuza e dytë ndaj tij për rrëmbim të miturish duke përfshirë edhe zhdukjen e Bleona Matës në vitin 2010.
Familja e Bleonës që gjithmonë ka ngulmuar se atë ditë të humbjes së vajzës së tyre, ai që është parë të ngjitet në mal, ka qenë 18 vjeçari atë kohë Begzim Isa dhe si bashkëpunëtore të tij në këtë rrëmbim ata akuzojnë Qamile Matën, që është edhe halla e Bleonës. Vetë Bukurija nëna e Bleonës është shprehur disa herë se Qamile Mata e ka gënjyer vajzën e saj 6-vjeçare dhe pasi e ka futur në pyll ia ka dorëzuar Begzimit. Pasi sipas saj ka qenë Qamile Mata që e ka marrë Bleonën ndërsa po luante me vëllain e saj në oborrin e shtëpisë dhe e ka çuar në mal.
“Atë ditë Begzim Isën në fshat e ka parë edhe vjehrra ime, por kjo e fundit ka heshtur. Atë ditë Begzimi mbante një kapuç në kokë. Qamilja e ka gënjyer atë ditë Bleonën, duke e marrë me vete në pyll, ku jam e bindur se ia ka dorëzuar Begzimit, i cili e ka trafikuar në Kosovë”, deklaron Bukurije Mata.
Të njëjtat dyshime atë kohë ndau edhe gjyshi i Bleonës, i cili edhe ky nga ana e tij tha se gjyshja e Bleonës e kishte parë Begzimin atë ditë në fshat. Qamile Mata e cila përgjatë gjithë dëshmisë së saj të dhënë përpara oficerëve të policisë gjyqësore është treguar kontradiktore. Ajo madje pavarësisht se ishin kushërinj me Begzim Isan, tha se nuk e njihte këtë të fundit, por nuk u shpreh asnjëherë qartësisht nëse e kishte parë apo jo Begzim Isën atë ditë në fshatin Zapod, duke deklaruar se nuk e mbante mend, pasi sipas saj kishte kaluar shumë kohë.
Ndërsa Begzim Isa pohoi se e njihte Qamilen dhe se bashkë ishin kushërinj të tretë, ndërkohë që motra e Begzimit mohoi çdo njohje të vëllait me Qamilen duke u shprehur se me familjen Mata nuk flisnin që nga viti i largët 1997, por pa dhënë shumë detaje se përse kishte lindur ky konflikt. Pavarësisht insistimit, grupi hetimor nuk gjeti prova të lidhjes apo bashkëpunimit të hallës së Bleonës me Begzimin. Për këtë arsye, çështje iu kalua Krimeve të Rënda.
Begzim Isa që siç thamë u arrestua tri vite pas zhdukjes së Bleona Matës, pasi në banesën e tij u gjet i lidhur këmbë e duar me një litar një fëmijë 8 vjeçar, por që gjatë marrjes në pyetje ai tha se nuk ka asnjë lidhje me zhdukjen e Bleona Matës, pasi sipas tij, atë kohë ai ka qenë në Kosovë me studime dhe jo në fshatin Zapod ku ndodhi rrëmbimi dhe më pas zhdukja e Bleonës.
Edhe pse gjetja i një fëmije të rrëmbyer në banesën e tij, e bënte atë të dyshuarin kryesor për rrëmbimin dhe zhdukjen e Bleona Matës, tri vite më parë. Vetë vajzat e tjera që kishin qenë atë ditë në mal me Bleonën, thanë gjatë dëshmive të tyre, se ata u ndanë me vogëlushen në momentin kur ajo u nis drejt banesës së saj. Dhe që aty nuk e panë më. Për këtë arsye grupi hetimor kreu edhe ballafaqimin e vajzave. Por pavarësisht se dëshmitë ishin kontradiktore, hetuesit nuk mundën të gjenin prova që i implikonin ato në zhdukjen e Bleonës.
“Policia kreu edhe verifikimin e telefonatave të Begzim Isës, më qëllim për të zbuluar nëse ai kishte komunikuar me Qamile Matën, qoftë gjatë ditëve të fundit që është kthyer nga Kosova, ashtu edhe ditën kur u zhduk Bleona Mata, që u zhduk në mënyrë misterioze, në malin e fshatit, teksa shoqërohej nga 5 kushërirat e saj. Vajzat pohuan se vogëlushja iu drejtua shtëpisë dhe ato nuk dinin më gjë për fatin e saj.
Gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pesë vajzat, edhe pse u ballafaquan me njëra-tjetrën, sërish ato nuk ishin në gjendje të tregonin se çfarë ndodhi atë ditë me Bleona Matën. Ato kanë dhënë edhe dëshmi kontradiktore, duke ngritur dyshimet mbi to. Por për shkak të mungesës së provave, pesë vajzat, përfshirë këtu edhe hallën e saj, kanë shpëtuar nga përgjegjësia penale”, thuhet në dosjen hetimore.
Por humbja e Bleonës u përjetua si një dramë edhe në jetën bashkëshortore të çiftit Mata, midis të cilëve ekzistuan vazhdimisht zënkat. Ku babai i Bleonës, Zamiri, akuzoi gjithmonë bashkëshorten e tij Bukurijen, për humbjen e së bijës dhe vetëm disa muaj pas humbjes së të bijës, iu drejtua Gjykatës së Kukësit, me një padi me objekt divorci. Ai kërkoi ndarjen nga e shoqja me pretendimin se ‘është nëna e Bleonës dhe gruaja e tij që është e përfshirë në rrëmbimin e vajzës.
Një tjetër histori që del në skenë.
Policia e Kukësit që thoshte se çifti Mata po divorcohej pasi Zamir Mata kishte dyshime se Bleona nuk ishte vajza e tij dhe se ajo ishte rrëmbyer nga babai i saj i vërtetë. Edhe kjo një pistë e pavërtetuar edhe sot. Bukurije Mata, hodhi poshtë akuzat e bashkëshortit teksa tha në atë kohë se për të rëndësi kishte gjetja e Bleonës së zhdukur./Në shënjestër, BW
