Një tjetër atentat tronditi Tiranën dhe vendin mbrëmjen e sotme, ku në rrethrrotullimin e Rinasit, në një atentat mafioz, mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos punonjësi i APM, Muçi Shaljani.
I ftuar në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj, deputeti socialist Ardit Bido tha se, pavarësisht ngjarjes së rëndë, kjo nuk e bën Shqipërinë një vend të pasigurt.
Sipas tij, për sa kohë ekziston krimi i organizuar, do të ketë edhe ngjarje kriminale.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Është Shqipëria një vend i sigurt?
Bido: Patjetër që është një vend i sigurt. Duke ardhur nga një ngjarje e rëndë te kjo pyetje, duket sikur s’kemi emocione. Patjetër që është një ngjarje që duhet të hetohet. Kemi të bëjmë me një vrasje në një pikë kyçe, të një personazhi të njohur të botës së krimit. Duhet hetuar dhe duhet të dalin para drejtësisë individët. Por nuk duhet ta vendosim direkt pyetjen përballë. Vrasje të tilla mafioze ndodhin në çdo vend të botës. Edhe në Amerikë kanë ndodhur vrasje mafioze. Sa ekziston krimi i organizuar, do të ketë vrasje të tilla.
Borakaj: Kush janë faktorët, pse vijnë turistët dhe nuk ka krim banal në rrugë? Del ministrja, flet për vende të sigurta dhe bëhen vrasje brenda ditës?
Bido: Po, jemi vend i sigurt. Nga ana tjetër janë edhe mediat që bëjnë pompim.
Kikia: Amerika është një vend me 200 milionë banorë.
Bido: Shqipëria nuk futet te vendet e rrezikuara. Ngjarje të tilla të rënda, patjetër që ndodhin, krimi ekziston si kudo. Por Shqipëria është një vend i sigurt; edhe ti vetë mund të dalësh e të shkosh ku të duash dhe nuk rrezikon.
Borakaj: Jo, ne dalim nga shtëpia dhe nuk e dimë ku po shkojmë, me thënë të drejtën
