
Trupi i një të riu shqiptar u gjet i karbonizuar në një makinë të vjedhur në Viotia. Policia dyshon se krimi lidhet me kërcënime të marra nga ish-partneri i vajzës me të cilën ai kishte një lidhje.
Një ngjarje makabre ka tronditur Greqinë, pasi autoritetet zbuluan trupin e një 27-vjeçari shqiptar, të gjetur i djegur dhe i lidhur në pjesën e pasme të një automjeti në zonën e Skourtës, Viotia. Sipas burimeve nga hetuesia, gjithçka tregon për një vrasje të planifikuar me kujdes dhe me motive personale.
Policia greke po shqyrton mundësinë që pas krimit të fshihet një konflikt sentimental. Hetimet zbuluan se viktima kishte qenë në një marrëdhënie me një vajzë, ish-partneri i së cilës e kishte kërcënuar më parë për motive xhelozie. Deri tani, nuk ka prova që 27-vjeçari të ketë qenë i përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme.
Familjarët e viktimës pritet të paraqiten në polici së bashku me avokatin e tyre, Alexandros Papaioannidis, për të dorëzuar çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas ekzekutimit, autorët e panjohur vendosën trupin në sediljen e pasme të një makine të vjedhur, e cila më pas u dogj plotësisht. Automjeti, me targa të falsifikuara që korrespondonin me një mjet tjetër nga Pieria, ishte raportuar i vjedhur në Glyfada.
Identiteti i viktimës u konfirmua përmes analizës së ADN, duke bërë të ditur se bëhej fjalë për një ndërtues nga Shqipëria, i cili ishte shpallur i zhdukur disa ditë më parë. Autoritetet greke po kërkojnë tani lidhjet e mundshme mes personave të afërt me vajzën që ndante marrëdhënien me 27-vjeçarin, si dhe gjurmët e telefonisë në ditët para ngjarjes.
Hetimet vijojnë, ndërsa mediat greke e përshkruajnë rastin si një nga më të errëtit e viteve të fundit në zonën e Viotisë.
