![]()
Një oficer policie rrëfen për gjendjen dramatike të rendit, mungesën e mjeteve bazike dhe lidhjet e errëta mes strukturave të sigurisë dhe botës së krimit, pas atentatit ku u vra Gilmando Dani.
Atentati i përgjakshëm pranë aeroportit të Rinasit më 11 nëntor, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i AMP Muçi Shaljani , ka hapur një debat të fortë për sigurinë publike dhe gjendjen reale të policisë shqiptare. Ngjarja, e cila ndodhi disa minuta pas daljes së viktimës nga aeroporti, u krye nga një grup prej katër personash të armatosur me kallashnikov, që qëlluan me breshëri mbi makinën tip “Benz” dhe u zhdukën më pas pa lënë gjurmë.
Pas atentatit, një efektiv policie ka dërguar një dëshmi rrëqethëse për situatën e rendit dhe paaftësinë e institucioneve për të reaguar. Ai tregon se strukturat e sigurisë janë kthyer në fasadë, ndërsa shumë punonjës po dorëzojnë armët e po braktisin shërbimin. Sipas tij, punonjësi i AMP që ndodhej me Gilmando Danin kishte shoqëri me persona me precedentë penalë, ndërsa vetë AMP, që duhet të garantojë integritetin e policisë, përfshin njerëz të lidhur me rrjetet kriminale.
Në rrëfimin e tij, polici përshkruan se si ndërhyrja e forcave në vendngjarje u bë në kushte absurde: “Furgonët nuk kishin as mjetet më të thjeshta për emergjencë. Për të thyer xhamin e makinës u përdor një levë që na e dha një qytetar i rastësishëm. Disa kolegë godisnin me shkelma sepse nuk kishim pajisje të përshtatshme.”
Ai shton se policët nuk mund të rrezikojnë jetën për një rrogë minimale dhe armë me defekte, ndërsa plumbat kanë përshkuar fasadat e lokaleve përreth, duke futur në panik turistët që ndodheshin në zonë. “Autorët qëndruan të armatosur për disa minuta pa asnjë reagim nga forcat e rendit. Kjo është gjendja e vërtetë e sigurisë në Shqipëri,” shkruan efektivi, duke bërë thirrje për pajisje moderne, jelekë antiplumb dhe pastrimin e radhëve të policisë nga elementët e lidhur me krimin.
Sipas informacioneve të tij, autorët kanë patur të dhëna të sakta për lëvizjet e Gilmando Danit dhe punonjësit të AMP, të cilat dyshohet se u janë dhënë nga një punonjës policie që ndodhej në sportel. Pasi viktima doli nga aeroporti, një person i maskuar me silikon e ndoqi hap pas hapi dhe raportoi në kohë reale për çdo lëvizje, derisa autorët hapën zjarr nga një automjet tip “Toyota”. Njëri prej tyre zbriti për t’u siguruar se objektivat ishin eliminuar plotësisht.
Rrëfimi i efektivit përgënjeshtron disa nga versionet mediatike të qarkulluara pas ngjarjes. Ai sqaron se makina e viktimës nuk ishte e blinduar, por kishte xhama plastikë të trashë, dhe se autorët nuk morën informacion nga agjenci udhëtimesh, por nga vetë njerëz brenda strukturave policore të aeroportit.
Në fund të mesazhit, polici denoncon përdorimin e numrave të huaj në komunikime WhatsApp nga efektivë që përpiqen t’i shpëtojnë përgjimeve, duke i përdorur këto për marrëveshje korruptive. Ai paralajmëron se ndryshimet e paralajmëruara në strukturën e Rinasit do të godasin punonjësit e ndershëm, ndërsa ata me lidhje politike dhe kriminale do të mbeten të paprekur.
Ngjarja e Rinasit mbetet një nga atentatet më të sofistikuara të viteve të fundit, ndërsa dëshmia e efektivit hedh dritë mbi krizën e thellë të sigurisë në institucionet që duhet ta mbrojnë atë.
