
Organizatorët e turneut historik në SHBA, Kanada dhe Meksikë po përballen me kritika pasi tarifat e parkimit për tifozët arrijnë deri në 175 dollarë, duke tejkaluar çmimet e disa biletave të vetë ndeshjeve.
Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në tre vende: Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, pritet të jetë turneu më i madh dhe më fitimprurës në historinë e futbollit. Por një vendim i ri i FIFA ka shkaktuar zemërim te tifozët: parkimi pranë stadiumeve do të kushtojë më shumë se vetë hyrja në ndeshje.
Sipas raportimit të The Athletic, FIFA ka hapur një platformë zyrtare online për rezervimin e parkimit, ku çmimet kanë arritur nivele rekord. Në disa stadiume, si AT&T Stadium në Teksas, parkimi për ndeshjet gjysmëfinale apo për vendin e tretë do të kushtojë deri në 175 dollarë (rreth 151 euro), ndërsa për një ndeshje të fazës së grupeve çmimi arrin 75 dollarë (rreth 65 euro).
Këto tarifa tejkalojnë çmimin e disa biletave të Kupës së Botës 2022 në Katar, ku një vend në kategorinë më të ulët për fazën e grupeve kushtonte më pak se parkimi që tani ofron FIFA.
Organizatorët duket se po përfitojnë nga varësia e madhe e spektatorëve amerikanë ndaj makinave, pasi transporti publik në shumicën e qyteteve pritëse është i kufizuar. Stadiumet e mëdha të NFL, të rrethuara nga hapësira të gjera parkimi, po kthehen kështu në një burim të ri fitimi për FIFA.
Megjithatë, strategjia ka ngritur shqetësime për aksesin në ndeshje. Ekspertët paralajmërojnë se përveç kostos së lartë, tifozët do të përballen me probleme të mëdha logjistike – nga zonat e sigurisë e deri te mungesa e vendeve të lira.
Në një klimë ku FIFA përpiqet të projektojë imazhin e një organizate që i sjell futbollin njerëzve, ky vendim shihet si shembull i radhës i etjes për fitim të pakufizuar, në dëm të tifozëve që e mbajnë gjallë vetë garën.
