
Autori Andrew Lownie deklaron se djali i dytë i Mbretëreshës Elizabeth II abuzoi për vite me privilegjet mbretërore, ndërsa stafi i pallatit ishte urdhëruar të heshtte për sjelljet e tij skandaloze.
Një stuhi e re ka goditur familjen mbretërore britanike pas deklaratave tronditëse të biografit të njohur Andrew Lownie, i cili pretendon se Princi Andrew, tashmë i njohur si Andrew Mountbatten Windsor, për vite të tëra ka sjellë prostituta në Buckingham Palace dhe se vetë Mbretëresha Elizabeth II ishte në dijeni të kësaj sjelljeje.
Në një intervistë për televizionin amerikan NewsNation, Lownie tha se ish-Duka i Jorkut shfrytëzonte ambientet e pallatit për takime të fshehta, ndërsa stafi i sigurisë ishte urdhëruar të mos raportonte asgjë. “Ai sillte prostituta në Buckingham për vite me radhë. Ishte një praktikë e përsëritur. Punonjësit ankoheshin, por çdo herë u thuhej të heshtnin, ndryshe rrezikonin të humbnin punën,” deklaroi biografi.
Sipas tij, Mbretëresha e ndjerë ishte në dijeni të asaj që ndodhte, por kishte zgjedhur të mos ndërhynte. “Sigurisht që ajo e dinte. Ishte i biri i saj i preferuar dhe për shumë kohë ai i shpëtoi çdo pasoje. Gjithçka fshihej nën qilim, deri tani,” theksoi Lownie.
Deklaratat e reja vijnë pak pas vendimit historik të Mbretit Charles për t’i hequr Andrewt të gjitha titujt dhe nderimet zyrtare, duke e detyruar të largohet edhe nga rezidenca e tij 30-dhomëshe “Royal Lodge”. Ish-princi, i cili prej vitesh është i përfshirë në skandale që lidhen me biznesmenin pedofil Jeffrey Epstein, mohon çdo akuzë për sjellje të papërshtatshme apo abuzim.
Lownie, i cili më parë ka botuar një biografi të detajuar për jetën e Andrewt dhe ish-bashkëshortes së tij Sarah Ferguson, thotë se pas humbjes së mbrojtjes mbretërore, shumë ish-punonjës dhe bashkëpunëtorë kanë nisur të flasin hapur. “Tani që ai nuk është më nën mbrojtjen e Mbretëreshës, njerëzit ndihen të lirë të tregojnë atë që dinë. Unë marr çdo ditë dëshmi të reja nga oficerë sigurie, ish-diplomatë dhe persona që kanë punuar për familjen mbretërore,” shtoi autori.
Biografi njoftoi gjithashtu se po përgatit një version të zgjeruar të librit të tij dhe madje një vëllim të dytë, pasi “dëshmitë dhe informacionet e reja po vijnë çdo ditë.” Ai paralajmëroi se ky është vetëm fillimi i një serie zbulimesh që do të ekspozojnë anën më të errët të jetës së Andrew Mountbatten Windsor.
Ndërkohë, Pallati Buckingham ka refuzuar të komentojë mbi akuzat.
