
Pas plagosjes së tij në atentatin ku humbi jetën Gilmando Dani, institucionet e sigurisë kanë nisur verifikimin e mënyrës se si agjenti u pranua në strukturat e AMP pa kaluar filtrat e detyrueshëm të DSIK.
Pas ngjarjes së rëndë në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i plagosur rëndë punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Muçi Shaljani, i njohur edhe me nofkën Sheqeri — ka nisur një hetim i brendshëm për procedurat që çuan në punësimin e tij.
Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), Shaljani nuk rezulton të ketë pasur certifikatën e sigurisë, një dokument i domosdoshëm për çdo punonjës që hyn në strukturat e AMP, ku kërkohet pastërtia e figurës dhe mungesa e lidhjeve me elementë të dyshimtë.
Mungesa e këtij verifikimi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi procesin e rekrutimit dhe kontrollit të brendshëm në agjenci. DSIK dhe institucione të tjera të sigurisë kanë hapur një procedurë hetimore për të përcaktuar nëse punësimi i Shaljanit u bë në kundërshtim me rregulloret e brendshme apo përmes ndërhyrjeve të paligjshme.
Ngjarja ka shtuar presionin publik mbi AMP, e cila ndodhet tashmë në qendër të akuzave për lidhje të mundshme me rrjete kriminale, veçanërisht pas atentatit ku humbi jetën Gilmando Dani. Hetuesit pritet të analizojnë dokumentacionin e plotë të punësimit të Shaljanit dhe personat që kanë firmosur miratimin e tij në detyrë.
Në pritje të rezultateve të hetimit, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë janë thirrur të forcojnë kontrollet për rekrutimet në strukturat e sigurisë, për të shmangur rastet e punësimeve pa certifikim ligjor dhe për të garantuar integritetin e trupës që mbikëqyr vetë policinë.
