
Pas ngjarjes së rëndë në Rinas, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikime për mënyrën e punësimit të agjentit të plagosur dhe ka pezulluar zinxhirin komandues të strukturës operative.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur një hetim të brendshëm për të verifikuar procedurat e ndjekura gjatë rekrutimit të Muçi Shaljanit, agjentit që mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku u vra Gilmando Dani. Hetimi përfshin shqyrtimin e plotë të dokumentacionit administrativ dhe komunikimeve ndërinstitucionale që shoqëruan emërimin e Shaljanit në AMP, në shtator të vitit 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, Agjencia po kontrollon bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përgjegjëse për verifikimin e figurës dhe kritereve ligjore të punësimit. Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i AMP, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të Forcës së Posaçme Operacionale, deri në përfundimin e hetimit.
Ky vendim vjen pas rritjes së ndjeshmërisë publike për rastin, pasi në atentatin e 11 nëntorit u përfshi një punonjës i vetë strukturës që duhet të mbikëqyrë policinë. AMP ka theksuar se hetimi do të jetë i plotë dhe transparent, për të përcaktuar nëse gjatë procesit të rekrutimit të Shaljanit janë shkelur procedurat standarde apo janë anashkaluar kontrollet e nevojshme të sigurisë.
Burime nga brenda agjencisë bëjnë me dije se deri në përfundimin e verifikimeve, Forca e Posaçme Operacionale do të mbetet nën administrim të përkohshëm, ndërsa pritet të merren në pyetje edhe drejtues të nivelit të mesëm që kanë firmosur procesin e punësimit të agjentit.
Hetimi i brendshëm pritet të përcaktojë përgjegjësitë individuale dhe institucionale për rastin, ndërsa rezultatet e para pritet të dorëzohen brenda ditëve në vijim pranë Drejtorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme.
