Gazetarja e njohur e kronikës, Klodiana Lala, ka komentuar në studion e News24 ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë pranë aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani, një emër i njohur për lidhjet e tij me botën e krimit.
Duke iu referuar pamjeve të siguruara nga BalkanWeb dhe News24, Lala përshkroi me detaje momentet e atentatit
“Ditën e djeshme në mesditë, u qëllua me breshëri kallashnikovi mbi automjetin që drejtohej nga agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani. Janë tre persona të veshur me të zeza dhe me kapele që dalin dhe qëllojnë drejt makinës. Më pas, një prej tyre afrohet tek mjeti, hap derën e pasagjerit dhe qëllon sërish në drejtim të Gilmando Danit, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit,” tha gazetarja
Sipas Lalës, pamjet tregojnë një nivel të lartë organizimi të autorëve, të cilët kanë vepruar me koordinim të plotë dhe me armë të ndryshme.
“Në një moment, njëri prej autorëve lë kallashnikovin në tokë dhe qëllon me pistoletë drejt Danit, ndoshta për të realizuar një goditje më precize, ose sepse arma automatike mund të jetë bllokuar. Pas të shtënave fatale në kokë, autorët hipin në mjetin e tyre dhe largohen me shpejtësi nga vendngjarja,” shtoi ajo.
