
Claude Vorilhon, i njohur si “Raël”, 79 vjeç, përballet me akuza për përdhunim, tortura dhe abuzim të të miturve, pas një denoncimi të bërë nga një ish-anëtare e lëvizjes raëliane.
Lideri i sektit të njohur raëlian, Claude Vorilhon, i cili prej dekadash pretendon se ka pasur kontakte me jashtëtokësorë, është vënë nën hetim për akuza të rënda të përdhunimit dhe torturës. 79-vjeçari, që aktualisht jeton i vetizoluar në ishullin Okinawa të Japonisë, është denoncuar nga një ish-ndjekëse e tij për abuzime seksuale të vazhdueshme, të kryera në kuadër të një marrëdhënieje me ndikim sektar.
Sipas mediave franceze, viktima, Lydia Hadjara, 43 vjeçe, pretendon se është indoktrinuar që në moshë të vogël dhe se për vite me radhë është detyruar të kryejë akte seksuale me Raëlin, i cili e paraqiste veten si profeti i një race jashtëtokësore të quajtur Elohim. Ajo ka paraqitur një kallëzim me status të palës civile në gjykatën e Parisit, duke kërkuar që hetimet të zgjerojnë rolin e anëtarëve të tjerë të lëvizjes.
Përveç Raëlit, dy ish-bashkëpunëtorë të tij janë gjithashtu të akuzuar. Njëri prej tyre, Guillaume D., i dënuar më parë në vitin 2002 për korrupsion të të miturve, tani dyshohet për përdhunime të reja. Ndërkohë, tjetri, i identifikuar si Bobby P., akuzohet për ngacmime seksuale ndaj vajzës kur ajo ishte ende e mitur.
Rasti ka tronditur opinionin publik në Francë, duke rikthyer vëmendjen tek aktivitetet e lëvizjeve sektare dhe abuzimet që fshihen pas fasadave shpirtërore. Hetimet pritet të zbulojnë nëse praktikat e Raëlit dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë qenë të organizuara si një sistem shfrytëzimi ndaj ndjekësve të rinj.
