
Trajneri i Kombëtares shqiptare dhe kapiteni Berat Gjimshiti u shprehën të vendosur për të marrë tre pikët në sfidën e rëndësishme ndaj Andorrës, që mund të përcaktojë fatin e kuqezinjve në garën për play-off.
Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Andorra, ku mbrëmjen e nesërme do të zhvillojë një nga ndeshjet vendimtare të këtyre eliminatoreve. Fitorja do t’i afronte kuqezinjtë edhe më shumë me objektivin e madh: pjesëmarrjen në fazën play-off për kualifikimin.
Në konferencën për shtyp, trajneri Sylvinho u shfaq optimist dhe i përqendruar. Ai theksoi se skuadra po tregon rritje të vazhdueshme, si në lojë ashtu edhe në mentalitet. “Ne jemi në një proces rritjeje, por ndërkohë që ne përparojmë, edhe rivalët po përmirësohen. Besoj se nesër do t’ia dalim. Do të jetë një ndeshje e vështirë sepse jemi jashtë fushe, por kemi motivimin e duhur,” u shpreh ai.
Duke iu referuar kundërshtarit, Sylvinho vuri në dukje se Andorra është një ekip kompakt që pëson pak gola dhe di të mbrohet mirë. “E kemi parë në analizat tona: ata janë të kujdesshëm, nuk lënë hapësira. Edhe në Tiranë, përpara se të shënonim golin e dytë, e patëm të vështirë të gjenim qetësinë,” shtoi trajneri brazilian.
Kapiteni Berat Gjimshiti, i pranishëm në konferencë, e bëri të qartë se skuadra e respekton kundërshtarin, por synon vetëm fitoren. “Do të futemi në fushë për të marrë tre pikët. Respekti për rivalin është i domosdoshëm, por ne kemi qëllimin tonë të qartë,” deklaroi ai.
Në lidhje me përbërjen, Sylvinho nënvizoi se fryma e ekipit do të mbetet e njëjtë si në ndeshjet e mëparshme, ndonëse mund të ketë disa përshtatje taktike. “Kemi ndërtuar një grup të balancuar që di të mbrohet dhe të sulmojë me qetësi. Ky është çelësi për të arritur suksesin,” përfundoi trajneri i kuqezinjve.
