
Kryeministri Edi Rama e cilësoi situatën e Erion Veliajt si disproporcionale dhe paradoksale, duke theksuar se ai po mbahet në paraburgim pa u gjykuar dhe se bashkia nuk mund të penalizohet për këtë situatë.
Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë në mënyrë të detajuar shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke e quajtur një rast paradoksal dhe të padrejtë. Nga një takim publik për buxhetin, Rama tha se ndodhemi përballë një situate të pazakontë, pasi kryebashkiaku ndodhet në burg pa u gjykuar, ndërkohë që proceset administrative në kryeqytet duhet të vijojnë.
“Ka edhe një buxhet tjetër, ai i Bashkisë së Tiranës dhe dëgjesat duhet t’i bënte kryetari i bashkisë, i cili aktualisht është në burg pa gjyq. Kjo është një situatë e pazakontë, një paradoks i madh. Ai u mor nga zyra dhe u fut në qeli si i paraburgosur, gjë që ndodh zakonisht vetëm për njerëzit shumë të rrezikshëm. Kjo është dispropocionale. Kush duhet hetuar, le të hetohet, por deri kur gjykata e shpall fajtor, është i pafajshëm”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ndonëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Veliajt nuk përputhet me qëndrimin e qeverisë, ai do të respektohet. “Ne e kemi parë situatën me respekt të plotë për ligjin. Kushtetuta bën dallim mes deputetëve dhe të zgjedhurve vendorë. GJK ka marrë një vendim ndryshe nga yni, por nuk ka asnjë arsye të dyshojmë për qëllimet e saj. Ne po mbështesim Bashkinë e Tiranës që të vazhdojë punën dhe të bëjë më të mirën për qytetarët”, tha ai.
Rama shtoi se bashkë me ministren Ogerta Manastirliu, si drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, po punojnë për të garantuar që projektet dhe buxheti i kryeqytetit të mos preken nga situata aktuale. “Nuk mund të lejojmë që Tirana të paguajë koston e kësaj gjendjeje. Qyteti duhet të ecë përpara, pavarësisht zhvillimeve politike apo gjyqësore,” përfundoi ai.
