
Incidenti ndodhi gjatë prezantimit zyrtar të robotit inteligjent rus, që synonte të demonstronte arritjet e vendit në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës.
Një episod i pazakontë ka ndodhur gjatë një eventi teknologjik në Moskë, ku roboti i parë humanoid rus me inteligjencë artificiale, i quajtur “AIdol”, u rrëzua në skenë gjatë debutimit të tij publik. Incidenti ndodhi më 10 nëntor në sallën e konferencave “Yarovit Hall”, përpara dhjetëra të ftuarve dhe kamerave të mediave.
Sipas raportimeve të Newsweek, roboti po shoqërohej në skenë nga dy anëtarë të stafit, nën tingujt e kolonës zanore të filmit “Rocky”, kur papritur humbi ekuilibrin dhe u përplas në dysheme, duke lënë pas disa pjesë të shkëputura. Punonjësit e kompanisë u detyruan ta tërhiqnin shpejt pas një ekrani për ta fshehur nga publiku dhe për të kontrolluar defektin.
Ngjarja, e filmuar nga të pranishmit, është bërë virale në rrjetet sociale ruse, ku shumë komentues ironizuan mbi gjendjen e robotikës në vend dhe faktin që u prezantua një prototip ende i papërfunduar. Megjithatë, kompania zhvilluese “Idol Robotics”, e drejtuar nga CEO Vladimir Vitukhin, tha se defekti ishte pasojë e një problemi kalibrimi dhe se “AIdol” ndodhet ende në fazën e testimeve.
“Ajo që ndodhi është pjesë e procesit të të mësuarit. Një gabim i mirë shndërrohet në dije, ndërsa një gabim i keq bëhet përvojë,” deklaroi Vitukhin.
“AIdol” është ndërtuar në 77 % me komponentë rusë, me qëllim që kjo përqindje të arrijë 93 % në prodhimin e ardhshëm. Roboti furnizohet nga një bateri 48 volt që i siguron gjashtë orë funksionim të pandërprerë dhe përmban 19 servo-motorë që mundësojnë mbi një duzinë emocione bazë dhe qindra mikro-shprehje.
Me një lëkurë silikoni të projektuar për të imituar ndjesitë dhe shprehjet njerëzore, “AIdol” është konceptuar si një përfaqësues i avancuar i teknologjisë ruse në garën globale për robotikën humanoide.
Pas incidentit, roboti u tërhoq nga ekspozita për t’iu nënshtruar verifikimeve të reja teknike mbi sistemin e ekuilibrit dhe softuerin e kontrollit. Zhvilluesit e tij thanë se projekti do të vazhdojë, ndërsa testimet pritet të zgjasin edhe disa muaj përpara se “AIdol” të rikthehet në publik.
