![]()
Hetimet për vrasjen e Gilmando Danit po përqendrohen tek përfshirja në baste sportive dhe lidhjet e mundshme financiare, ndërsa dy punonjës të Policisë së Shtetit janë arrestuar në lidhje me ngjarjen.
Hetimet për atentatin e ndodhur dy ditë më parë në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani (Sheqeri), po zbulojnë gjithnjë e më shumë detaje mbi prapaskenat e mundshme të krimit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po punohet në dy pista kryesore: përfshirja në baste sportive dhe ajo në fajde.
Sipas informacioneve paraprake, Dani dyshohet se pas daljes nga burgu, rreth një vit më parë, mund të jetë përfshirë në aktivitet të paligjshëm bastesh. Kjo pistë konsiderohet aktualisht më e forta nga hetuesit, ndërsa paralelisht po verifikohen edhe lidhje të mundshme me qarqe që merren me dhënie parash me fajde.
Nga kontrolli i automjetit tip “Benz”, ku ndodhej viktima, policia ka sekuestruar disa sende personale dhe aparate celulare, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës shkencore për të rikuperuar të dhëna të mundshme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e motivit. Nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm në mjet.
Ndërkohë, burime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) kanë konfirmuar arrestimin e dy efektivëve të komisariatit nr. 3 në Tiranë, të cilët dyshohet se kanë dhënë një vlerësim pozitiv për futjen e Muci Shaljanit në strukturat e AMP. Sipas të dhënave të siguruara, gjatë verifikimeve të kryera në shtator, kartoteka e Policisë së Shtetit nuk rezultonte të kishte ndonjë dënim apo ngarkesë penale për Shaljanin.
Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë edhe lidhje familjare të tij, pasi një i afërm i Shaljanit rezulton i përfshirë në një ngjarje të vitit 2009, e klasifikuar atëherë si vrasje nga pakujdesia.
Burimet policore theksojnë se Shaljani, i cili ndodhet nën kujdes mjekësor pas plagosjes, nuk rezulton të ketë qenë objektivi kryesor i atentatit, por gjasat janë që autorët të kenë synuar vetëm Gilmando Danin, i njohur si person me të kaluar problematike dhe lidhje me grupin e Emiljano Shullazit.
Hetimet vazhdojnë në disa drejtime, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që pas krimit të fshihet një konflikt i vjetër financiar.
