
Në një intervistë të sinqertë, bashkëshortja e aktorit Alec Baldwin rrëfeu si e përjeton ndryshimin e madh në moshë me partnerin e saj dhe çfarë ka mësuar nga martesa e gjatë.
Hilaria Baldwin ka folur hapur për martesën e saj me aktorin e njohur Alec Baldwin dhe mënyrën se si diferenca e madhe në moshë ka ndikuar në marrëdhënien e tyre. Gjatë një interviste në podcastin “Uncut and Uncensored” me Caroline Stanbury, instruktorja e jogës 41-vjeçare tregoi se marrëdhënia me bashkëshortin e saj, 67 vjeç, është ndërtuar mbi mirëkuptim, përvojë dhe shumë përkushtim.
“Nuk mendoj se mosha është thjesht një numër, të paktën në rastin tonë. Ka momente kur shoh që Alec ka 26 vite më shumë përvojë se unë, ndonjëherë kjo është një përparësi, e ndonjëherë do të thotë që na duhet pak terapi,” tha ajo me humor.
Duke reflektuar mbi mësimet e marrë nga martesa e tyre, Hilaria tha se një nga gjërat më të rëndësishme që ka kuptuar është se “nuk mund t’i kënaqësh të gjithë”. Ajo shtoi se me kalimin e viteve, njeriu fiton qartësi dhe vetëbesim që e forcon lidhjen me partnerin.
“Kur arrin të 40-at, e di çfarë kërkon. Kjo është një gjë shumë e bukur për një marrëdhënie. E njeh veten më mirë, dhe ajo siguri që ke me moshën është diçka tepër tërheqëse,” u shpreh ajo.
Çifti Baldwin, të martuar që nga viti 2012, janë prindër të shtatë fëmijëve: Carmen Gabriela, Rafael Thomas, Leonardo Ángel Charles, Romeo Alejandro David, Eduardo Pao Lucas, María Lucía Victoria dhe Ilaria Catalina Irena. Alec Baldwin ka edhe një vajzë më të madhe, Ireland Baldwin, 30 vjeç, nga martesa e tij e mëparshme me aktoren Kim Basinger.
Në përfundim të intervistës, Hilaria tha se ndonëse jeta me një diferencë të madhe në moshë kërkon durim dhe mirëkuptim, ajo është mirënjohëse për stabilitetin dhe përvojën që partneri i sjell në familje.
