
Në reagimin e tij të parë pas nisjes së hetimeve nga SPAK për tunelin e Llogarasë, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, bëri thirrje për respektimin e procesit ligjor dhe shmangien e paragjykimeve politike.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka komentuar për herë të parë hetimin e hapur nga SPAK që përfshin zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Në një intervistë për Top Channel, Gonzato theksoi se qëndrimi i Bashkimit Europian është i qartë: askush nuk duhet paragjykuar apo ndëshkuar pa përfunduar procesi hetimor dhe gjyqësor.
“Bashkimi Europian ka një politikë të qëndrueshme për të mos komentuar çështjet që janë në hetim. Një nga parimet themelore të drejtësisë është prezumimi i pafajësisë. Askush nuk mund të dënohet përpara se të përfundojnë hetimet dhe gjykimi,” deklaroi diplomati europian.
Sipas tij, ky parim është thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë në çdo vend demokratik. Gonzato theksoi se është e rëndësishme që hetimet të zhvillohen me transparencë, profesionalizëm dhe pa ndikime politike, në mënyrë që qytetarët të kenë besim tek drejtësia.
Deklarata e ambasadorit vjen në një moment kur debati publik mbi hetimin e projektit të tunelit të Llogarasë dhe përfshirjen e ministrisë së Ballukut është bërë temë kryesore në arenën politike. Gonzato kujtoi se BE mbështet pa mëdyshje punën e SPAK, por kërkon që proceset të respektojnë standardet e drejtësisë dhe të mos përdoren për qëllime politike.
