
Takimi historik mes dy qeverive synon forcimin e partneritetit strategjik, me fokus në energji, siguri, ekonomi, mbrojtje dhe migracion.
Në Romë po zhvillohet sot mbledhja e parë e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, një ngjarje e rëndësishme që shënon një hap të ri në marrëdhëniet dypalëshe. Kryeministri Edi Rama dhe 10 ministra të kabinetit të tij mbërritën dje në kryeqytetin italian për të marrë pjesë në këtë takim të nivelit të lartë.
Agjenda zyrtare parashikon që takimi mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni, të nisë në orën 11:40, ndërsa mbledhja e përbashkët e dy qeverive të zhvillohet në orën 12:30. Pas përfundimit të diskutimeve, rreth orës 14:00, pritet nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh dhe memorandume bashkëpunimi që do të shtrihen në më shumë se dhjetë fusha strategjike.
Sipas burimeve diplomatike, marrëveshjet do të përfshijnë sektorë si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, mjedisi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, infrastruktura dhe inovacioni. Italia pritet të ofrojë mbështetje teknike dhe teknologjike, ndërsa një pjesë e infrastrukturës detare do të vendoset në Shqipëri për qëllime të mirëmbajtjes dhe ndërtimit të anijeve.
Mediat italiane raportojnë se kjo mbledhje është parë si një “model i ri bashkëpunimi” mes dy vendeve, që synon jo vetëm forcimin e partneritetit ekonomik, por edhe përfshirjen e Shqipërisë në rrjete të përbashkëta industriale dhe energjetike në rajon.
Delegacioni shqiptar që merr pjesë në këtë takim përbëhet nga:
Belinda Balluku, Zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
Albana Koçiu, Ministre për Punët e Brendshme
Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
Evis Sala, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Mbledhja pritet të përmbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp, ku do të prezantohen rezultatet dhe prioritetet e reja të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Romës.
