
Një koleksion korrespondencash të publikuara nga Komiteti Mbikëqyrës i Kongresit amerikan trondit opinionin publik, duke vërtetuar autenticitetin e fotos që lidhte ish-princin britanik me viktimën e Jeffrey Epstein.
Një seri e re email-esh të publikuara nga Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka konfirmuar se fotografia famëkeqe e Princ Andrew me Virginia Giuffre është autentike, duke hedhur poshtë pretendimet shumëvjeçare të pallatit mbretëror dhe të aleatëve të tij se imazhi ishte i manipuluar.
Në mesazhet e dërguara në vitin 2011, pedofili i dënuar Jeffrey Epstein pranon se Giuffre kishte qenë në avionin e tij dhe se fotografia me Andrew ishte e vërtetë. Ai e konfirmon këtë në një komunikim me një gazetar, duke shkruar: “Po, ajo ishte në avionin tim dhe po, i është bërë foto me Andrew, si shumë nga punonjëset e mia.”
Fotografia në fjalë, e publikuar për herë të parë nga The Mail on Sunday në të njëjtin vit, u bë simbol i akuzave të Giuffre, e cila pretendonte se kishte qenë e detyruar të kishte marrëdhënie me Andrew kur ishte vetëm 17 vjeçe, gjatë një vizite në Londër. Princi, i cili atëherë mbante titullin e Dukës së Jorkut, e ka mohuar vazhdimisht akuzën dhe ka pretenduar se fotografia mund të ishte e falsifikuar.
Email-et e zbuluara, megjithatë, tregojnë edhe një anë tjetër të historisë. Në një prej tyre, Andrew i shkruan vetë Epstein dhe Ghislaine Maxwell duke kërkuar ndihmë për të pastruar emrin e tij, pasi media britanike kishte nisur publikimet për lidhjet e tij me financierin e dënuar. “Ju lutem, sigurohuni që çdo deklaratë të sqarojë qartë se nuk jam i përfshirë dhe nuk di asgjë për këto akuza. Nuk e përballoj dot më këtë,” shkruan ai.
Korrespondencat tregojnë gjithashtu se Epstein, në vend që të tërhiqej nga rasti, ka tentuar të ndikojë në gazetarët për ta paraqitur Giuffren si gënjeshtare. Në një email drejtuar një reporteri, ai shkruan: “Hetoni vajzën Virginia Roberts që po i shkakton gjithë këtë problem djalit të Mbretëreshës. Ajo është mashtruese. Po e bëmë këtë, do të mund të shkojmë në Ascot të qetë për gjithë jetën.”
Publikimi i dokumenteve që përfshin mbi 23 mijë faqe, ka shkaktuar tronditje në Britani, pasi ato përmbajnë gjithashtu korrespondenca të mëvonshme mes Epstein dhe personaliteteve të njohura, përfshirë ish-ambasadorin britanik Lord Mandelson, i cili, sipas email-eve, ka vazhduar kontaktet me Epstein deri në vitin 2016.
Princi Andrew, tashmë i privuar nga titujt mbretërorë dhe rolet publike, përballet sërish me presion për të dëshmuar para Kongresit amerikan lidhur me marrëdhënien e tij me Epstein dhe për të sqaruar akuzat që, megjithëse u mbyllën me një marrëveshje civile në 2021, vazhdojnë të rëndojnë mbi reputacionin e tij dhe të familjes mbretërore britanike.
Publikimi i këtyre email-eve konsiderohet si një nga dëshmitë më të forta që lidh drejtpërdrejt figurat më të fuqishme të botës politike dhe aristokratike me rrjetin e errët të Epstein, duke rikthyer në vëmendje pyetjen se sa i gjerë ishte vërtet ndikimi i tij.
