Tragjedia që tronditi Euboenë dhe Beotinë mori një dimension edhe më të rëndë dhe dhimbshëm. Nëna e 27-vjeçarit shqiptar punëtor ndërtimi, i gjetur i djegur brenda një makine në Skurta të Beotisë më 8 nëntor, ndërroi jetë dje nga arrest kardiak, e pamundur të përballonte humbjen e djalit të saj.
Në të njëjtën kohë, dalin detaje shokuese për vrasjen e tmerrshme të të riut nga Khalkidha.
Sipas informacioneve të para, 27-vjeçari u joshi të shkonte në Vilia për të takuar një grua që kishte njohur përmes një aplikacioni takimesh. Por në vend të një takimi, ishte kurdisur një pritë e organizuar mirë.
Sipas të dhënave deri tani, autorët e mbajtën peng për rreth 24 orë, e torturuan, pastaj e qëlluan për vdekje. Më pas, trupin e transferuan në Skurta dhe i vunë zjarr makinës për të zhdukur gjurmët.
Vetura ku u gjet kufoma ishte raportuar e vjedhur në maj nga Glifadha dhe mbante targa nga një makinë tjetër në Pieria. Ky detaj, sipas policisë, tregon se prapa krimit mund të qëndrojë një rrjet i organizuar me metodë “profesionale”.
Hetuesit e Departamentit të Vrasjeve besojnë se 27-vjeçari u vra në një vend tjetër dhe më pas u transportua në zonën e shkretë ku u gjet makina e djegur.
Celulari, çelësi i çështjes Policia vazhdon kërkimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në qendër të vëmendjes është telefoni i viktimës, ende i pagjetur, por që besohet të përmbajë informacione kyçe për personat që e nxitën në kurth.
