Lirie Delishi, 25 vjeç do të dërgohet në burgun e Pogradecit për të vuajtur një dënim katërmujor, pasi u kap duke përdorur një pasaportë të falsifikuar rumune, ndërsa përpiqej të merrte një fluturim nga Tirana për në Romë në vitin 2019. Ajo është bërë gruaja e parë që ekstradohet nga Britania drejt Shqipërisë për t’u përballur me burgim. Delishi është nëna e tre fëmijëve, përfshirë një foshnjë të porsalindur.
Mediat britanike shkruajnë se gjyqtari John Zani mbështeti ekstradimin e Lirie Delishit, pasi vendosi se rreziku që Britania të shihet si një “strehë e sigurt” për kriminelët i tejkalonte pretendimet e saj se ekstradimi i saj do të shkelte të drejtat e saj për një jetë familjare sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Prokurorët shqiptarë kanë kërkuar ta ekstradojnë Delishin për të vuajtur një dënim me katër muaj burg pasi ajo u kap duke përdorur një pasaportë të falsifikuar rumune ndërsa përpiqej të merrte një fluturim nga Tirana për në Romë në vitin 2019. Ajo ishte shtatzënë me fëmijën e saj të tretë kur apeloi kundër vendimit në një seancë dëgjimore për ekstradim në gjykatën e magjistratëve të Westminster, duke thënë se do të ishte e tmerrshme që dy fëmijët e saj më të mëdhenj të ndaheshin nga ajo. Ajo tha se partneri i saj do të humbiste muajt e parë të jetës së fëmijës së tyre të tretë.
“Do të jetë shumë e vështirë për mua të jem pa të gjatë atyre muajve të rëndësishëm dhe do të më mungojnë shumë fëmijët e mi të tjerë. E di që Edmond do të duhet të heqë dorë nga orët e tij në punë, ose ndoshta edhe të mbyllë një nga bizneset për t’u përqendruar te fëmijët. Kjo mund të nënkuptojë që duhet ta shesim shtëpinë. Mundohem të mos mendoj për ekstradimin për shkak të ndikimit që do të ketë në familjen time”, tha ajo.
Partneri i saj paraqiti prova se ai drejtonte dy biznese në Mbretërinë e Bashkuar, një kompani ndërtimi me një punonjës tjetër dhe një larje makinash që punësonte vëllain e tij dhe dy burra të tjerë. Delishi kishte kryer studimet e larta për inxhinieri kompjuterike në Shqipëri dhe u diplomua në vitin 2019, përpara se të transferohej në Mbretërinë e Bashkuar për të qenë me partnerin e saj, të cilin e kishte takuar në vitin 2018.
“Nuk kam pasur një martesë zyrtare me burrin tim, por e konsiderojmë veten të martuar sepse jetojmë së bashku që nga viti 2019 dhe kemi fëmijë së bashku. Isha ende në universitet, kështu që i mbarova studimet para se të vija të bashkohesha me burrin tim. Erdha në Mbretërinë e Bashkuar shumë shpejt pasi u diplomova. Kam një familje të madhe në Shqipëri dhe shkoj mirë me ta, por jeta ime është në Mbretërinë e Bashkuar. Jam vendosur në Mbretërinë e Bashkuar me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk mund ta duroja idenë e ndarjes prej tyre”, i tha ajo gjykatës
