Vetting
Berberi mbuloi mangësitë e tunelit të Gjoka Konstruksion? Greku deponoi në SPAK
Qindra miliona euro kanë avulluar prej tunelit të Llogarasë dhe nuk dihet ku kanë përfunduar, por problemi më serioz i paevidentuar më parë ngelet siguria fizike dhe rrugore në këtë segment.
Nga deponimet e drejtorit grek të kompanisë së huaj “Hill International”, e cila ka fituar tenderin e supervizimit me kompaninë e ortakut të ish drejtorit të ARRSH-së Berberi, Valter Begaj kanë dalë në dritë dëshmi që mund të cënojnë sigurinë publike.
“Evis… kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË…” shkruan Kirkinezis, përfaqësues i “Hill International NV” ish drejtorit të ARRSH-së Evis Berberit.
Sipas avokatit Leonard Karaj, akoma më shqetësues është fakti që nuk kemi asnjë informacion për kolaudimin e punimeve.
“Unë nuk di që aty të ketë një akt kolaudimi dhe me këtë gjë nuk dua të në alarm shqiptarët për tu thënë që “Mos kaloni te tuneli i LLogarasë” që të mos keqkuptohemi. Por Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të japin shpjegime nëse ka vërtet akt kolaudimi dhe kush e ka realizuar sepse në dijeninë time këtë gjë e ka kërkuar SPAK dhe nuk i është dhënë përgjigje”, deklaroi avokati Karaj.
Konsorciumi turk ka marrë si nënkontraktor për këtë projekt kompaninë “Gjoka Konstruksion”, me pronar Rrok Gjokën, i njohur edhe si fitues në disa nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Aktualisht, personi që kryen veprime të ndryshme financiare për konsorciumin turk në Shqipëri “INTEKAR ASL” është Rovena Dorezi, juriste e kompanisë “Gjoka Konstruksion”.
Nga investigimet e hershme të “Vetting”, në pamjet e siguruara dallohet lehtësisht për ata që asokohe vizitonin punimet në tunelin e Llogarasë ishte mungesa e monitorimit ndaj këtij projekti, që dëmtoi dalëngadalë mjedisin dhe bukurinë e Parkut Natyror të Karaburunit. Në atë periudhë, ekspertët e mjedisit, për “Vetting” do të ngrinin alarmin për atë që po ndodhte me mjedisin.
“Ti flet, fjala vjen për një tunel që do ndërtosh në Karaburun, që është ngjitur me Parkun Kombëtar të Llogarasë, ngjitur me Parkun Kombëtar Sazan-Karaburun Detar, ngjitur aty me atë tjetrin. Aty pastaj lexon nëpër të e nëpër rreshta, që flitet për habitate në përmet, Alpet. Por një studim serioz i vlerësimit të ndikimit në mjedis, duhet të marrë në analizë këto lloj vlerësimesh në analizë dhe në gjykimin përfundimtar mund të qëllojë që të thonë ekspertët dhe duhet të qëllojnë në shumicën e rasteve që thonë “Kjo nuk duhet, nuk bën, ose mund të mos bëhet”, u shpreh për “Vetting” eksperti i mjedisit Olti Nika
