Në një intervistë për Sokol Ballën në ABC News, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Erion Veliaj do të mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës deri në vitin 2027, pavarësisht se ndodhet në qeli. Rama tha se ka “keqardhje të thellë njerëzore” për situatën e Veliajt dhe se ai “po mbahet peng në qeli”, duke shtuar se, sipas tij, ai mund të hetohej edhe në gjendje të lirë.
Rama kërkoi që çështja e lirimit të Veliajt të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese:
“Gjykata Kushtetuese duhet ta lirojë, sepse është vendim kontradiktor nëse nuk e liron.”
Ai theksoi se mazhoranca nuk do të tentojë shkarkimin e Veliajt në këto kushte:
“S’mund t’i biem murit me kokë, s’mund të dalim kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”
Rama konfirmoi gjithashtu se kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës në vitin 2027 do të jetë Ogerta Manastirliu, duke përjashtuar çdo mundësi që Veliaj të rikandidojë:
“Veliaj s’mund të jetë kandidat për 2027, se s’mund të kandidojë për herë të katërt.”
I pyetur për hetimet që lidhen me ministren Belinda Balluku, Rama tha:
“SPAK ka punën e vet, ne kemi tonën.”
Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, Rama u shpreh:
“Pjesëmarrja ishte e lartë sepse nuk kishte garë. PD vuri aktore. S’është përgjegjësia jonë të kemi opozitë të fortë, as në kuadër të integrimit.”
Në intervistë, Rama mohoi gjithashtu se ka konflikte të brendshme politike:
“Ska një bir politik që të më vrasë për momentin.”
