Kryeministri Edi Rama u pyet nëse duhet një reformë e thellë për uniformat blu. I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Rama u përgjigj se në këtë drejtim është bërë një progres i madh, ndërkohë ajo që mbetet është monitorimi i rrugëve me kamera inteligjente. Kryeministri tha se është gati projekti dhe financimi për monitorimin e rrugëve me kamera inteligjente. Sipas tij nëse rrugëto do monitoroheshin nga këto kamera, keqbërësit, apo vrasësit do ishin identifikuar në kohë reale.
Pjesë nga intervista:
“Jo, unë mendoj që ne kemi bërë progres të madh dhe në atë drejtim, por ajo që na mungon qartësisht në këtë moment është rritja e kapaciteteve për monitorimin dhe për identifikimin e keqbërësve dhe ne praktikisht kemi vënë në vijë këtë proces që është zvarritur disa kohë për arsye burokratike nga ana e Policisë së Shtetit dhe nga ana e Ministrisë së Brendshme që është procesi i transformimit digjital të monitorimit me kamera inteligjente të rrugëve dhe të qyteteve të vendit.
Që do të thotë, e thënë në terma konkretë, nëse ne do të kishim këtë sistem në këmbë, vrasësi apo vrasësit sepse nuk e di sesa kanë qenë në Rinas do të ishin identifikuar në kohë reale sepse sistemi nuk i jep mundësinë keqbërësve të ikin në drejtim të paditur ose e bën një mijë herë më të vështirë. Kështu që projekti është gati, financimi është vënë në dispozicion, kompania është një nga më të mirat në botë, sistemi është i sprovuar në Emiratet e Bashkuara me një sukses të jashtëzakonshëm dhe shpresoj që në javët ne vijim të fillojë më në fund puna dhe koha e realizimit dhe të fillimit të vendosjes në punë të sistemit është 12 muaj dhe pastaj do të jemi në një tjetër nivel komplet përsa i përket kapaciteteve për të identifikuar dhe për të reaguar ndaj keqbërësve të çdo lloji,” tha Rama.
