
Policia po kërkon një të dyshuar që plagosi një grua në linjën Blu të metrosë, ndërsa ngjarja risjell në kujtesë vrasjen brutale të Iryna Zarutskës në Karolinën e Veriut.
Një grua 27-vjeçare u godit me thikë në gjoks mbrëmjen e së shtunës në stacionin UIC-Halstead të linjës Blu në Çikago, ndërsa policia po kërkon autorin që u largua nga vendngjarja fiks pas sulmit. Sipas hetuesve, agresori iu afrua viktimës, nxori një thikë nga çanta e shpinës dhe e goditi pa paralajmërim, përpara se të zhdukej në drejtim të South Morgan Street. Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë kapur të dyshuarin me thikën e përgjakur në dorën e djathtë teksa largohej.
Autori përshkruhet si një mashkull afro-amerikan, rreth 1.80 i gjatë, me peshë 72–82 kilogramë, i veshur me një kapuç rozë të ndezur, xhup gri, bluzë portokalli, xhinse blu të çelëta dhe atlete të bardha. Policia ka publikuar imazhe të kamerave me shpresën për identifikimin e tij. Ndërkohë, viktima ndodhet në gjendje të qëndrueshme në spital dhe fatmirësisht mori vetëm plagë të lehta.
Ky sulm ka risjellë në vëmendje një ngjarje të rëndë që ndodhi vetëm disa muaj më parë në Charlotte, Karolina e Veriut, ku refugjarja ukrainase Iryna Zarutska, 23 vjeç, u vra brutalisht në bord të një treni elektrik. Autor i asaj ngjarjeje u identifikua Decarlos Brown Jr, 34 vjeç, i cili e goditi Zarutskën disa herë në qafë me thikë, pak minuta pasi ajo ishte ulur në sediljen përpara tij. Pamjet e publikuara tregonin Brown duke e ndjekur, goditur dhe më pas duke u larguar nga treni ndërsa lënte pas gjurmë gjaku. Ai u arrestua vetëm pesë minuta më vonë.
Mediat amerikane raportojnë se Brown, i diagnostikuar me skizofreni, i kishte thënë motrës së tij pas arrestimit se dëgjonte zëra në kokë përpara se të kryente sulmin. Familja ka akuzuar sistemin amerikan të shëndetit mendor se e kishte lënë të lirë pavarësisht kërkesave të tij të vazhdueshme për trajtim. Brown përballet me akuza për vrasje dhe rrezikon dënimin me vdekje, duke pasur edhe precedent penal për armë dhe dhunë.
Ndërkohë, vdekja e Iryna Zarutskës vazhdon të tronditë komunitetin ukrainas në SHBA. I dashuri i saj ka ndarë një video të përmallshme ku tregohen momentet e lumtura të saj në Amerikë: duke shijuar ushqim, duke kërcyer dhe duke eksploruar qytetin ku shpresonte të ndërtonte një jetë të re. Familja e përshkruan atë si një vajzë me talent artistik, të dashur me kafshët dhe të lidhur fort me familjen, e cila kishte ardhur në SHBA për t’i shpëtuar luftës në Ukrainë.
Ngjarja e fundit në Çikago ka ngritur shqetësime për sigurinë në transportin publik amerikan, veçanërisht për gratë që udhëtojnë natën. Policia vazhdon kërkimet dhe ka bërë apel për informacione që mund të çojnë në kapjen e agresorit.
