
Korporata britanike pranon gabimin në dokumentarin Panorama, por kundërshton pretendimet për shpifje, ndërsa ish-presidenti amerikan kërcënon me padi prej 1 miliard dollarësh.
BBC ka kërkuar falje zyrtare ndaj presidentit Donald Tramp për mënyrën se si ishte montuar një pjesë e fjalimit të tij të 6 janarit 2021 në dokumentarin Panorama, duke pranuar se përdorimi i klipit të editimit ishte një “gabim gjykimi”. Megjithatë, transmetuesi publik britanik ka refuzuar të paguajë dëmshpërblim, pavarësisht kërcënimit të Tramp për një padi prej 1 miliard dollarësh.
Në deklaratën e saj, BBC konfirmoi se dokumentari nuk do të transmetohet më në asnjë nga platformat e saj, por këmbënguli se nuk ka bazë ligjore për një akuzë për shpifje. “Ndërsa BBC shpreh keqardhje për mënyrën e editimit të klipit, ne nuk besojmë se ekziston bazë për një pretendim për shpifje,” u shpreh një zëdhënës i korporatës.
Montazhi që shkaktoi polemika shfaqte disa pjesë të ndara të fjalimit të Tramp të bashkuara në një segment të vetëm, duke krijuar përshtypjen se ai kishte thënë frazat njëra pas tjetrës. Tramp pretendon se BBC “synoi qëllimisht të mashtronte publikun” duke montuar tre pjesë të ndryshme të fjalës së tij në një deklaratë të vetme, ndërsa avokatët e tij paralajmëruan padinë në Florida.
Pas shpërthimit të debatit dhe rrjedhjes së një memoje të brendshme që detajonte shqetësimet editoriale, drejtori i Përgjithshëm i BBC, Tim Davie, dhe drejtuesja e lajmeve Deborah Turness dhanë dorëheqjen. Kryetari i BBC, Samir Shah, dërgoi një letër faljeje Shtëpisë së Bardhë, ku “shprehte qartë se corp-ja i vjen keq Presidentit Tramp për editimin e pasaktë të fjalimit të 6 janarit”.
Dokumentari Tramp: A Second Chance? nuk u transmetua në SHBA përmes platformës BBC Select, por avokatët e Tramp argumentuan se klipet qarkulluan gjerësisht online, duke arritur audienca prej dhjetëra milionësh njerëzish anembanë botës.
Tramp ka pasur gjatë viteve procese të shumta për shpifje, shumë prej të cilave janë rrëzuar nga gjykatat. Por rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë ka përkuar me disa marrëveshje të mëdha me media dhe rrjete sociale. ABC dhe CBS kanë pranuar të paguajnë nga 16 milionë dollarë secila në dy raste të veçanta, një për komentet e George Stephanopoulos dhe një tjetër për një editim të kontestuar të një interviste në 60 Minutes.
Rasti i BBC mbetet i hapur, ndërsa analistët ligjorë vërejnë se ndërsa kërkimi i faljes është një lëvizje e rrallë nga transmetuesi britanik, refuzimi për të paguar dëmshpërblim tregon se BBC është e gatshme të përballet në gjykatë nëse Tramp vendos të shtyjë përpara padinë.
