Investigimi zbulon lidhje të thella mes grupeve kriminale shqiptare, politikës dhe rrjeteve ndërkombëtare të kokainës
Një dokumentar i ri i rrjetit ndërkombëtar Arte ka ndezur alarmet në gjithë kontinentin, duke e paraqitur Shqipërinë si nyjen më të nxehtë të trafikut të drogës në Evropë dhe destinacionin final ku përplasen interesat e mafies, politikës dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Sipas dokumentarit, kokaina, heroina dhe kanabisi kalojnë lirshëm përmes kanaleve që kontrollohen nga grupet shqiptare, të cilat konsiderohen sot ndër më të fuqishmet në tregun europian. Europol i rendit ato në pesëshen e rrjeteve më të rrezikshme të kokainës në BE, me një shtrirje që nis në Amerikën Latine dhe mbaron në portet e Belgjikës dhe Holandës.
Shifrat janë tronditëse: vetëm në vitin 2023, Europa sekuestroi 419 tonë kokainë, një rekord historik. Pjesa më e madhe e këtyre dërgesave, sipas raportit, lidhen drejtpërdrejt me bandat shqiptare.
Arte ngre një pyetje: A është Shqipëria vërtet model i reformave për BE, apo “kali i Trojës” i trafikut global?
Dokumentari prek gjithashtu lidhjet e dyshuara politike. Gazetari zviceran Antoine Harari tregon se ndikimi i grupeve kriminale ka depërtuar në nivelet më të larta të shtetit shqiptar. Përmenden takime të errëta, zyrtarë të lartë të akuzuar për lidhje me trafikantë, si dhe raste ku policët që zbulojnë skandale përfundojnë të penalizuar, ndërsa politikanët shpëtojnë.
Rasti i Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm, dhe ai i biznesmenit të lojërave të fatit Luftar Hysa, përmenden si shembuj të kapjes së shtetit. Sipas dokumentarit, kjo simbiozë mes politikës dhe klaneve kriminale ka krijuar një ekonomi të nëndheshme që po fryhet nga miliona euro të trafikut ndërkombëtar.
Arte vë në qendër edhe pyetjen strategjike: pse Brukseli vazhdon të favorizojë Tiranën në procesin e integrimit? Analistët thonë se pozita gjeopolitike e Shqipërisë, bashkëpunimi me NATO dhe menaxhimi i flukseve migratore e bëjnë vendin një faktor që BE nuk dëshiron ta humbasë.
Megjithëse Komisioni Evropian thekson reformat, kritikët paralajmërojnë se korrupsioni i lartë, censura dhe kontrolli politik mbi institucionet e drejtësisë rrezikojnë të futin fondet europiane në duar të gabuara.
Në këtë mozaik kontradiktash, dokumentari i Arte lë pas një pyetje të rëndë: Kush e kontrollon realisht Shqipërinë e sotme, institucionet apo një sistem paralel që ushqehet nga trafiku ndërkombëtar?
Dhe ndërsa BE shikon drejt vitit 2030 me optimizëm, dokumentari sjell një paralajmërim të ftohtë: në një shtet të kapur nga krimi, reforma nuk është garanci, është iluzion.

