
Luan Mata rrëfen para GJKKO shpërthimin me tritol në hotelin e tij në vitin 2020 dhe thotë se nuk di kush e goditi biznesin
Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua të premten seanca gjyqësore ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të cilët SPAK i akuzon si bashkëpunëtorë në vrasjen e Andi Malokut, shoferit të ish-prokurorit Arjan Ndoj. Dy të pandehurit dyshohen gjithashtu për përfshirje në një tjetër ngjarje të rëndë kriminale të vitit 2020, atë të vendosjes së tritolit në hotelin “Viktoria” në rrugën e Dibrës.
Në sallën e gjyqit u paraqit si dëshmitar Luan Mata, babai i të shumëkërkuarit Ervin Mata. Ai ka rrëfyer rreth shpërthimit që goditi biznesin e tij pesë vite më parë.
“Kam qenë brenda në hotel kur ndodhi shpërthimi. Kamera ka në çdo cep të ndërtesës. Nuk kam pasur konflikte me askënd dhe nuk kam dijeni kush e ka vendosur tritolin,” u shpreh Mata. Ai deklaroi se menaxhonte hotelin “Viktoria” dhe kompaninë “Viktoria Construction”, ndërsa theksoi se nuk ka patur probleme me persona apo grupe.
Hetimet e SPAK kanë ngritur dyshime se në këtë ngjarje mund të kenë qenë të përfshirë Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj. Sipas prokurorisë, Dervishaj dhe Meçaj dyshohen se u kanë siguruar autorëve automjetin e përdorur nga Rraja për të vendosur sasinë eksplozive.
Seanca pritet të vijojë me dëshmi të tjera dhe administrim provash për të zbardhur plotësisht atentatin, i cili mbetet një nga episodet më të errëta të vitit 2020.
