GJKKO ka urdhëruar SPAK të hetojë deputetin e PD, Arjan Ndoja. Vendimi është firmosur nga gjyqtari Erion Çela, ku thuhet se Prokuroria e Posaçme duhet të nisë hetimet për ligjvënësin, ish-prokurorin Ndoja.
Mësohet se ndaj Ndojës, prej vitit 2023, kishte nisur një hetim pasuror dhe pastrim parash.
Ndoja u bë deputet nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndërsa Prokuroria e Tiranës i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, që të pushojë çështjen.
Por Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencën dhe i është drejtuar GJKKO-së të shprehet mbi këtë kërkesë.
Sot, gjyqtari Çela ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të kërkesës për pushimin e hetimeve. Ai ka vendosur që të gjitha aktet e hetimit që ka kryer Prokuroria e Tiranës prej 2 vitesh, të kalojnë në SPAK. Ndërkohë që Prokurorinë e Posaçme e urdhëron që të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet për deputetin Ndoja.
