
Gjykata e Posaçme i kthen aktet Prokurorisë së Posaçme, duke vendosur se deputeti duhet të hetohet nën kompetencën e SPAK.
Gjykata e Posaçme ka urdhëruar hapjen e një procedimi të ri hetimor ndaj deputetit të Partisë Demokratike dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja, pas shqyrtimit të akteve të një çështjeje të vitit 2023. Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Çela, i cili ka konsideruar si të pavlefshme kërkesën për pushimin e hetimeve që ishte paraqitur më herët.
Me këtë vendim, GJKKO i ka rikthyer aktet Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, duke e detyruar SPAK të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë zyrtarisht hetimet ndaj deputetit. Sipas gjykatës, ndryshimi i statusit të personit nën hetim, nga qytetar i zakonshëm në deputet, e kalon automatikisht kompetencën e çështjes tek SPAK, si institucioni i vetëm i autorizuar për të hetuar zyrtarë të lartë.
Gjykata ka argumentuar se procedurat e mëparshme nuk mund të konsiderohen të vlefshme pa përfshirjen e institucionit kompetent, duke i hapur kështu rrugë një hetimi të detyrueshëm ndaj Arjan Ndojës. Hetimet pritet të rifillojnë menjëherë pas regjistrimit të çështjes së re nga Prokuroria e Posaçme.
