
Roja Bregdetare amerikane ka vëzhguar një mjet zbulimi rus vetëm 15 milje nga Oahu, në një kohë marrëdhëniesh të acaruara mes dy fuqive.
Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara ka bërë të ditur se po monitoron nga afër një anije ushtarake ruse e cila është parë duke operuar vetëm 15 milje detare në jug të ishullit Oahu më 29 tetor. Bëhet fjalë për Kareliya, një anije zbulimi e klasit Vishnya, e specializuar për përgjimin elektronik dhe mbledhjen e të dhënave.
Një avion patrullimi HC-130 Hercules dhe anija amerikane William Hart kanë kryer fluturime dhe kalime pranë mjetit rus, ndërsa autoritetet amerikane thonë se po e ndjekin situatën në përputhje me ligjin ndërkombëtar, për të garantuar sigurinë detare dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
Zyrtarët amerikanë sqaruan se anijet e huaja ushtarake lejohen të lundrojnë jashtë kufirit prej 12 miljesh të ujërave territoriale, por theksuan se çdo aktivitet pranë këtyre zonave monitorohet me kujdes, sidomos në rajonin e Paqësorit ku rivalitetet gjeopolitike janë thelluar.
Tensionet mes SHBA-së dhe Rusisë janë rritur muajt e fundit, për shkak të dështimit të çdo lëvizjeje diplomatike drejt një marrëveshjeje paqeje mes Moskës dhe Kievit, si dhe nismës së presidentit amerikan Donald Tramp për të rifilluar testet bërthamore. Paralelisht, disa vende europiane kanë akuzuar Rusinë për provokime ajrore me dronë dhe balona që kanë hyrë në hapësirat e NATO.
Në një deklaratë zyrtare, Roja Bregdetare tha se po punon në koordinim me aleatët dhe partnerët për të mbrojtur kufijtë detarë të SHBA: Acting in accordance with international law, Coast Guard personnel are monitoring the Russian vessel’s activities near U.S. territorial waters to provide maritime security for U.S. vessels operating in the area and to support U.S. homeland defense efforts.
Komanda Indo-Paqësore dhe Distrikti i Oqeanisë i Rojës Bregdetare do të vijojnë komunikimin e drejtpërdrejtë, ndërsa autoritetet amerikane mbeten në gatishmëri për çdo lëvizje të mëtejshme të anijes ruse.
