
Reperja 33-vjeçare nis një kapitull të ri në jetën e saj, ndërsa paralelisht përgatitet për turin e ardhshëm muzikor pa e ndalur karrierën.
Cardi B ka mirëpritur fëmijën e saj të katërt, një djalë, i cili është fëmija i parë me partnerin e saj të ri, yllin e NFL-it Stefon Diggs. Lajmi u bë publik nga vetë artistja përmes një videoje në Instagram më 13 nëntor, duke shënuar një moment të rëndësishëm në jetën e saj personale dhe profesionale.
Në postimin shoqërues, reperja u shpreh se ky kapitull i ri po e motivon më shumë se kurrë për t’u bërë versioni më i mirë i vetes. Ajo nënvizoi se vitin e fundit ka sjellë projekte të reja muzikore dhe tani ka edhe një arsye më shumë për t’u përkushtuar tek vetja dhe fëmijët e saj.
Cardi B është tashmë nënë e tre fëmijëve të tjerë me ish-bashkëshortin Offset: Kulture, 7 vjeç, Wave, 4 vjeç dhe Blossom, 13 muajshe. Me lindjen e djalit të saj të katërt, artistja theksoi se ndihet më e fortë dhe më e sigurt se kurrë, duke shtuar se ky kapitull i ri simbolizon rritje, shërim dhe vetëdashuri.
Pavarësisht angazhimeve familjare, reperja ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të ndalojë karrierën. Ajo ka nisur përgatitjet për turneun e ri, duke thënë se po punon për trupin dhe mendjen për të ofruar performancën më të mirë të jetës së saj.
Në një video të publikuar në Instagram Stories, Cardi B shfaqet e emocionuar teksa tregon një karrocë rozë për foshnjet, duke bërë shaka: I just had a boy, but I love this stroller.
Reaksionet nga fansat kanë qenë të shumta, me mijëra urime dhe komente për lindjen e djalit dhe energjinë e re që reperja po i sjell karrierës së saj.
