
Brosha historike me diamant, e humbur pas Betejës së Vaterlosë, u shit shumëfish mbi vlerësimin fillestar, ndërsa identiteti i blerësit mbetet i fshehtë.
Një stoli e rrallë që i ka përkitur perandorit francez Napoleon Bonaparti është shitur për 3.3 milionë franga zvicerane, rreth 4.4 milionë dollarë, në një ankand të zhvilluar në Gjenevë. Brosha me diamant, një pjesë unike e historisë evropiane, u shit shumëfish mbi vlerën e saj fillestare të vlerësuar në vetëm 200 mijë franga.
Stoli, i cili përfshin një diamant qarkor 13 karatësh të rrethuar nga gurë më të vegjël, besohet se është humbur nga Napoleoni gjatë arratisjes së tij pas humbjes në Betejën e Vaterlosë në qershor të vitit 1815, beteja që vulosi fundin e ambicieve franceze për dominim në Evropë dhe rrëzimin e përfundimtar të perandorit.
Shtëpia e ankandeve Sotheby’s ka bërë të ditur se brosheja është gjetur në sendet personale të Napoleonit, por ka refuzuar të zbulojë identitetin e shitësit apo blerësit, duke konfirmuar vetëm se objekti është blerë nga një koleksionist privat.
Shitja vjen në një moment të trazuar për trashëgiminë e Napoleonit, teksa disa javë më parë, muzeu i Luvrit në Paris u godit nga një grabitje spektakolare ku u vodhën rreth 102 milionë dollarë stoli nga koleksioni napoleonic. Edhe pse policia ka kryer disa arrestime, sendet e vjedhura ende nuk janë gjetur.
Brosha e shitur në Gjenevë shihet si një nga objektet më të rëndësishme historike të dalë në ankand vitet e fundit, duke nxitur interes të madh nga koleksionistë të artit dhe historianë të epokës napoleone.
